Prokuroria pranon heqjen e paraburgimit për Asmir Jahoskin nëse paguan 72 milionë denarë si garanci

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) njoftoi se e pranon propozimin e pronarit të “Pucko Petrol”, Asmir Jahoski, për heqjen e masës së paraburgimit, me kusht që të sigurojë garanci të përshtatshme në para.

Jahoski ndodhet në paraburgim si i dyshuar për veprën penale “pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale”, në një rast të lidhur me përfitim të konsiderueshëm pasuror të fituar përmes një skeme të përbashkët me Ratko Kapushevski, përmes përfitimeve të firmës RKM nga shitja e mazutit gjatë krizës energjetike.

“Në mendimin e tij, prokurori publik theksoi se propozimi i të dyshuarit për heqjen e masës së paraburgimit dhe zëvendësimin e saj me masë garancie në pasuri të paluajtshme me vlerë të vlerësuar prej 60.672.235 denarë mund të konsiderohet i bazuar vetëm nëse i dyshuari depoziton gjithashtu një shumë shtesë prej 72.000.000 denarë në një llogari të veçantë të gjykatës”, informojnë nga Prokuroria.

Kjo shumë, sipas PTHP-së, pasqyron shumën totale të përfitimit të kundërligjshëm të fituar nga Jahoski, e cila në procedurën e mëtejshme mund të jetë objekt i një kërkese për dëmshpërblim.

Prokuroria ka kërkuar edhe masa shtesë të kujdesit, siç janë:

ndalim për të lënë vendbanimin,

detyrim për paraqitje periodike te organi kompetent,

dhe marrje të përkohshme të pasaportës.

“Prokurori ka marrë parasysh edhe aktet e lëndës, si dhe faktin që shumica e provave materiale dhe verbale tashmë janë siguruar, gjë që ndjeshëm ul rrezikun nga fshehja, falsifikimi apo shkatërrimi i provave, si dhe ndikimi mbi dëshmitarët”, shtojnë nga Prokuroria.

Me këtë mendim, PTHP NKOK e kushtëzon ndryshimin e mundshëm të masës së paraburgimit me një paketë të rreptë garancish financiare dhe sigurie, duke vlerësuar se vetëm në këtë mënyrë do të përmbusheshin kushtet për zëvendësimin e masës më të rreptë për sigurimin e pranisë në procedurë.