Grupi parlamentar i “Së Majtës” sot ka dorëzuar Interpelancë për punën e ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski, lidhur me zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan.
“Nga pozita e ministrit, Toshkovski në mënyrë të rëndë e ka neglizhuar dhe në mënyrë të papërshtatshme e ka kryer funksionin e tij publik, duke vepruar në mënyrë joprofesionale, të papërgjegjshme dhe joprofesionale, që ka rezultuar me një sërë veprimesh të kundërligjshme, skandale dhe dështime kadrore në MPB”, tha deputeti Sashko Jançev.
Në konferencën për media, “E Majta” ka sqaruar se interpelanca bazohet në dhjetë baza, pesë prej të cilave kanë të bëjnë drejtpërdrejt me ngjarjen tragjike në Koçan.
“Nuk kemi dëgjuar se në hetim është përfshirë inspektorati për krime ekonomike e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Koçanit, e cila duke marrë parasysh parregullsitë në funksionimin e diskotekës, nuk ka marrë asnjë masë hetimore që është obligim i saj ligjor. Nuk kemi dëgjuar që në hetim është përfshirë edhe përgjegjësi i turnit gjatë natës fatale, i cili nuk ka marrë masa për kontrollin e objektit dhe sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, ndaj në objekt janë gjetur edhe të mitur.
Gjithashtu, gjatë mandatit të Toshkovskit, kësaj diskoteke iu rinovua licenca. Ai ka qenë ministër për më shumë se një vit, sepse ka qenë ministër në qeverinë teknike dhe në të gjitha këto dështime, ministri i Brendshëm ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë komanduese”, shtoi Jançev.