Parashikoi tërmet tjetër në Mianmar, arrestohet astrologu i TikTok

Autoritetet e Mianmarit kanë vënë në pranga një astrolog të famshëm në rrjetin social TikTok.

Ai është arrestuar pasi shkaktoi panik duke parashikuar një tërmet tjetër shkatërrues.

John Moe The postoi parashikimin e tij më 9 prill, vetëm dy javë pasi tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.7 vrau 3500 njerëz dhe shkatërroi tempuj shekullorë në vendin e Azisë Juglindore.

Ai u arrestua të martën për deklarata të rreme me qëllim të shkaktimit të panikut publik.

John Moe The kishte paralajmëruar se një tërmet do të godiste çdo qytet në Mianmar më 21 prill.

Por ekspertët thonë se tërmetet është e pamundur të parashikohen për shkak të kompleksitetit të faktorëve të përfshirë në fatkeqësi të tilla.

Në videon e tij, e cila mori më shumë se tre milionë shikime, John Moe The u bëri thirrje njerëzve që të merrnin gjëra të rëndësishme me vete dhe të ikin nga ndërtesat gjatë lëkundjeve.

“Njerëzit nuk duhet të qëndrojnë në ndërtesa të larta gjatë ditës”, shkruhej në mbishkrimin e videos.