26. Prill.2025
Sot Bazilika frymon ndryshe, frymon rëndë. Po ikë njeriu që nuk ishte si të tjerët, që ishte për të
gjithë, dhe jo vetëm për të privilegjuarit.
Papati humbet njeriun me gjeste të përzemërta, përulësi të skajshme, përkushtuesin ndaj paqës,
ndaj të varfërve dhe dialogut ndërfetar si dhe angazhuesin e fuqishëm të drejtësisë sociale.
Kisha katolike, po ndahet nga pastori, i cili ndryshe nga paraardhësit e tij, zgjodhi të jetojë
thjeshtë dhe jo në apartamentin papnor luksoz, duke dhënë një shembull të fortë përulësie.
Feja mbetet pa simbolin e sajë Franjon, që nuk la lider fatar pa takuar. Takoi imamë, priftërinjë,
rabinë,…,budistë, duke theksuar vazhdimisht rëndësinë e dialogut dhe respektit të ndërsjellë.
Bota mbetet pa figurën më të dashur, më bashkëkohore, personin i cili theu paragjykimet, i cili u
ktheu shpresën njerëzve që ishin ndjerë të dëshpëruar, të anatemuar,…,të përjashtuar.
Populli palestinez gjatë do ta kujtojë angazhimin e tij për paqë dhe drejtësi. Mosjustifikimi i
terorit dhe dënimi i rreptë i mizorive ishin kryefjala e çdo Meshe.
Thirrja e tij për armëpushim të menjëhershëm dhe ndalimin e dhunës brutale, në një kohë kur
shumë udhëheqës heshtnin ose flisnin në mënyrë të paqartë, apo duke belbëzuar, madje kur disa
liderë arabë me çarçafët e tyre të pistë bënin dashuriçka nëpër sallone mondane, ai rezonoi
fuqishëm.
Gjatë do të kujtohen vizitat e tij tek refugjatët në ishullin Lesbos të Greqisë , viktimat e luftës në
Afrikë, dhe kampet e të shpërngulurve, duke i quajtur ata “bij dhe bija të Zotit”.
Asnjëherë nuk do ti harojmë lojrat e tij me fëmijët e përjashtuar, përqafimet me njerëzit që kishin
sëmundje të rënda dhe ngjitëse, posaçërisht atë me Vinicio Rivan-in, që vuante me sëmundje të
lëkurës, të ushqyerit me njerëz të zakonshëm, ndihmën viktimave të abuzuara.
Thjeshtësia e tij, vozitja me autobus dhe jo me veturë zyrtare, të ushqyerit me njerëz të
zakonshëm dhe jo me VIP/a në darka protokolare dhe në fund varrosja me një arkivol të theshtë
prej druri dhe jo me atë prej bronzi, e bënë këtë njeri edhe më të dashur.
Në fund, Argjentina duhet të mbetet krenare se atje lindën mjeshtrit e shkrimit: Borgesi,
Kortazari, këngëtari Sosa, legjendat e sportit, Maradona, Messi,…,Fangio, aktorët Darin dhe
Aleandro, dhe në fund ikona e kishës katolike – Papa Françesku.
P.s. Nëse thënia e paharueshme e Franjos ishte “Lutuni për mua”, neve nuk na mbetet gjë tjetër pos
lutemi për atë!
Afrim Ramadani, Prill, 2025