Ahmet Galban (16), një nga rreth 1.000 fëmijët me gjymtyrë të amputuara në gjenocidin e Izraelit kundër palestinezëve në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, dëshiron të shkojë jashtë vendit për trajtim, të vendosë një protezë në këmbë dhe t’i kthehet gjimnastikës, sportit të tij që e do, raporton Anadolu.
Ahmeti, është një banor i Beit Lahiya në veri të Gazës që u largua nga rruga “Shayma” më 22 mars për t’u drejtuar në një zonë tjetër që ai mendonte se ishte e sigurt, pas kërcënimit të ushtrisë izraelite për evakuim.
Sulmi që i ndryshoi jetën Ahmetit, ndodhi në momentin kur ai ishte me vëllain e tij binjak Muhamedin, dajën e tij dhe vajzën e tij 6-vjeçare. Ahmeti u plagos rëndë, ndërsa binjaku, daja dhe vajza e tij humbën jetën, pasi një raketë e lëshuar nga ushtria izraelite goditi karrocën me kuaj që i transportonte.
– U bë simbol për fëmijët me gjymtyrë të amputuara
Ajo që e bëri Ahmetin simbol të fëmijëve me gjymtyrë të amputuara në Gaza ishin momentet kur ai lexonte Kuran teksa ishte i mbuluar në gjak në spital.
Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Munir al-Bursh ndau një video në llogarinë e mediave sociale X më 15 prill, duke lavdëruar durimin e Ahmetit dhe duke bërë një deklaratë.
Në video, Ahmeti shihet duke lexuar Kuranin ndërsa ai amputohej ashtu edhe në prani të Al-Bursh.
“Sot pranuam Ahmetin, të cilit iu amputuan këmbët dhe humbi vëllain binjak dhe dajën e tij. Ai tregoi të njëjtën vendosmëri, durim dhe këmbëngulje duke lexuar Kuranin në atë ditë të vështirë dhe na kujtoi se Kurani është shoqëruesi i besimtarit në kohë të mira dhe të këqija”, tha Al-Bursh.
Fotografia e Ahmetit u përdor dhe deklaratat e tij u përfshinë edhe në deklaratën e bërë nga Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza më 24 prill, duke njoftuar se afërsisht 1.000 fëmijë janë të amputuar.
Në deklaratë u përdorën thëniet e Ahmeti se “Në atë moment, po i mbaja dorën vëllait tim. Papritmas, u bëmë shënjestra e Izraelit. Kur rimora vetëdijen në spital, mësova se këmbët e mia ishin amputuar ndërsa vëllai dhe daja im ishin vrarë, u shokova. Në atë moment, kuptova se jeta ime kishte ndryshuar përgjithmonë”.
– Ahmeti u gjymtua dhe u privua nga sporti që e donte
“Unë jam Ahmeti nga Gaza, kam nevojë për një protezë. Vëllai im binjak u vra. Tashmë nuk kam më këmbët dhe as dorën e majtë” shkroi ai në Instagram. Ahmeti i cili e përdori këtë frazë, tani ka vështirësi të kthehet nga njëra anë në tjetrën në shtratin e spitalit dhe nuk mund të bëjë asgjë pa ndihmën e dikujt.
Ahmeti i cili ka humbur dy këmbë, katër gishta të dorës së majtë dhe që ka një krah të djathtë të thyer dhe lëndime serioze në shpinë dhe po merr trajtim në Spitalin Indonezian, i tregoi AA-së për përvojat e tij:
“Gjatë sulmit, pashë vëllain tim, dajën tim dhe vajzën e tij të bërë copë-copë. Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të lexoja Kuranin. Edhe gjatë ndërhyrjes mjekësore në spital, po lexoja Kuran”.
Duke treguar se ai dhe vëllai i tij kanë marrë trajnime në gjimnastikë që kur ishin 7-vjeç, Ahmeti tha: “Izraeli na privoi nga gjimnastika. Tani nuk dua asgjë më shumë sesa të kem një këmbë protezë, të ec dhe të vazhdoj sportin që dua”.
– Vdekjen e vëllait e mësoi pas 15 ditësh
Nëna Amine Galban, e cila humbi njërin nga binjakët e saj dhe ishte e përfshirë personalisht në tragjedinë që përjetoi tjetri, tha se fëmijët e saj ishin bashkë në shkollë, në jetën e tyre normale dhe madje edhe në gjimnastikë dhe futboll.
Ajo tha se e kishin fshehur vdekjen e vëllait binjak nga Ahmeti për një kohë të gjatë. “Ahmeti qëndroi në kujdes intensiv për 5 ditë. Pasi doli nga kujdesi intensiv, për 15 ditë unë ia fsheha faktin që vëllai i tij kishte vdekur. Për 15 ditë, Ahmeti më pyeste vazhdimisht: ‘Mami, pse je gjithmonë me mua? Ku është vëllai im? Pse nuk shkon tek ai?’” dhe na kërkoi t’i sillnim vëllain e tij. I thamë se vëllai i tij ishte në gjendje të rëndë dhe ndodhej në spitalin Al-Shifa. Por, mbeta e detyruar t’i thoja se vëllai i tij kishte vdekur për shkak të dhimbjes dhe lodhjes psikologjike që kaloi”, tha nëna Amine.
– Dëshira e saj më e madhe është që djali i saj të kthehet në jetën e tij të mëparshme
Amine tha se Ahmeti i ishte nënshtruar 4 operacioneve, por ende kishte dhimbje në këmbën e djathtë dhe se nuk kishte mjaftueshëm qetësues dhimbjesh dhe antibiotikë në spital. Ajo shtoi se Ahmeti duhet të dalë jashtë Gazës për trajtim.
Duke shpjeguar se i regjistroi Ahmetin dhe Muhammedin në një klub të gjimnastikës në Gaza kur ishin 7-vjeç, nëna Amine tha “Ata bënin gjimnastikë, merrnin pjesë në turne dhe festivale. Dua që Ahmetit t’i vendoset një këmbë protezë, të rikthehet në sportin që e do, të jetë në gjendje të shkojë në banjo vetë, të rifitojë jetën e tij të vjetër edhe nëse të jetë vetëm 80 për qind”.