OKB-ja apelon për ndihmë humanitare për Mianmarin e goditur nga tërmeti

Kombet e Bashkuara apeluan të premten, për fonde shtesë prej 275 milionë dollarësh për të plotësuar nevojat e rreth një milion njerëzve në Mianmarin e prekur nga tërmeti i fuqishëm.

Programi i ndihmës humanitare u vlerësua më parë në më shumë se 1.1 miliardë dollarë, duke synuar të mbulojë nevojat prej 5.5 milionë euro për banorët si prioritet nga 19.9 milionë që kanë nevojë për ndihmë në të gjithë vendin.

“Nevojiten urgjentisht burime shtesë”, theksojnë Kombet e Bashkuara, për të plotësuar nevojat në rritje të popullsisë.

Sipas OKB-së, më shumë se 6.3 milionë njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë në zonat e Mianmarit që u goditën më rëndë nga tërmeti me magnitudë 7.7 që tronditi vendin më 28 mars. Kjo është dy milionë më shumë se ata që kishin nevojë për ndihmë para tërmetit, i cili vrau më shumë se 3,600 njerëz.

Në këtë kontekst, OKB-ja kërkon fonde shtesë prej 275 milionë dollarë për lehtësimin e 1.1 milionë banorëve të cenueshëm.

Programi i vë theks të veçantë popullatës femërore “të cilat përballen me një rrezik më të lartë të dhunës me bazë gjinore, pasigurisë ushqimore dhe mungesës së aksesit në shërbimet e shëndetit riprodhues” dhe përfshin masa për “parandalimin dhe trajtimin e shfrytëzimit dhe abuzimit seksual pas tërmetit”.