Nikolloski: Kemi një synim të qartë që eksporti në Britaninë e Madhe të rritet dhe së shpejti ta tejkalojmë shifrën prej tre miliardë euro
Thellimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve ishte temë e takimit të sotëm në Londër mes zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe ministrit të Eksportit dhe Ekonomisë së Britanisë së Madhe, Geret Tomas, që u mbajt në kuadër të vizitës së nivelit të lartë në Britaninë e Madhe.
“Maqedonia eksporton rreth 2.5 miliardë euro në Britaninë e Madhe dhe ne kemi një synim të qartë që ato eksporte të rriten dhe së shpejti ta kalojnë shifrën prej tre miliardë eurosh në eksport, gjë që e ndihmon seriozisht ekonominë e Maqedonis, do të thotë vende pune të paguara mirë dhe sigurisht që do të thotë vende të reja pune. Me ministrin e Britanisë së Madhe për eksport dhe ekonomi biseduam për projektet infrastrukturore që i menaxhoj si ministër i Transportit dhe zëvendëskryeministër i qeverisë së Maqedonisë, biseduam për zhvillimin e hekurudhës, zhvillimin e autostradave dhe trafikut ajror dhe mundësitë që ka Britania e Madhe për të ndihmuar Maqedoninë”, tha Nikolloski pas takimit dhe shtoi se Britania e Madhe është partneri ynë i dytë tregtar.
Biseduam, shtoi, edhe për mundësitë financiare që ka Britania e Madhe, sigurisht edhe rreth njohurive që mund të na transferojë.
“Për këtë qëllim realizuam edhe takim me kompaninë “Crossrail”, e cila është në pronësi të qeverisë britanike edhe e cila e ndërtoi linjën e parë të metrosë plotësisht të digjitalizuar në Britaninë e Madhe, ajo është linja që mban emrin e mbretëreshës “Elizabeta”. Gjatë ditës së sotme do të kemi takime edhe me përfaqësues të institucioneve financiare këtu në Londër, do të kemi takime edhe me institucione tjera që mund të ndihmojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut. Do të kemi një takim shumë të rëndësishëm me agjencinë për eksport të Britanisë së Madhe, ndërsa gjatë ditës së nesërme vazhdojmë me takime me ministrin për Evropë, të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor, si dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme”, tha Nikolloski.
Vizitën në Londër e vlerësoi si një hap të ri në bashkëpunimin me Britaninë e Madhe.
“Me këtë po e pozicionojmë Maqedoninë si partner strategjik në Evropën Juglindore të Britanisë së Madhe, diçka që është një hap përpara për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe një partneritet afatgjatë me një vend që ka traditë të madhe, ekonomi të fortë dhe siç thonë ata është perandoria e fundit në botë”, theksoi Nikolloski.