Kryeministri izraelit u bë i pari udhëheqës botëror, që shkoi të takonte Donbald Trumpin në përpjekjen për ta bindur së zbusë luftën tregtare. Në një lëvizje që po shihet me vëmendje nga pjesa tjetër e botës, Netanjahu premtoi të eliminojë sa më shpejt deficitin tregtar me Shtetet e Bashkuara, por në këmbim nuk mori një premtim nga shefi i Shtëpisë së Bardhë për heqjen e tarifave, raporton A2 CNN.
Shtetet e bashkuara, aleati kryesor dhe partneri më i rëndësishëm tregtar i izraelit, vitin e kaluar regjistroi një deficit prej 7.4 miliardë dollarësh me këtë shtet.
Sipas politikës së re të Trump, Izraeli përballet tani me tarifa prej 17 përqind nga SHBA.
“Mund t’iu them se i thashë presidentit diçka të thjeshtë. Në do të eliminojmë deficitin tregtar me SHBA, dhe kemi ndërmend ta bësh sa më shpejtë. Do të eliminojmë gjithashtu barrierat tregtare të cilat janë ngritur në mënyrë të panevojshme”, tha Netanjahu, përcjell A2 CNN.
Kjo është vizita e dytë e Netanjahut në Shtëpinë e Bardhë që kur Trump nisi mandatin e tij të dytë. Gjatë bisedimeve në zyrën ovale, dy liderët diskutuan edhe për luftën 18-mujore në Gaza dhe fatin e pengjeve ende në duart e Hamasit.
Trump tha në krah të Netanjahut se dëshironte që lufta të ndalej dhe se shpresonte që diçka e tillë të ndodhte shpejt. I pyetur nëse do të mbante premtimin e fushatës për ti dhënë fund konfliktit ai u shpreh: “Ne do të donim t’i jepnim fund luftës. Dhe mendoj se lufta do të ndalet në një moment, që nuk do të jetë i largët. Aktualisht kemi një problem me pengjet. Duhet të përpiqemi t’i lirojmë”.
Ai ritheksoi dëshirën për të marrë kontrollin e rripit të Gazës, duke u thënë gazetarëve në zyrën ovale se kjo do të ishte diçka e mirë. Sipas tij, nëse i merr palestinezët dhe i zhvendos në vende të ndryshme, Gaza do të kthehej në zonë të lirisë.