Koalicioni VLEN pritet së shpejti të transformohet në një parti të re politike, pas largimit të Aleancës për Shqiptarët (ASH) të udhëhequr nga Arben Taravari. Këtë e konfirmoi ditë më parë edhe lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, përcjell TS.
“Që nga java e ardhshme fillon procedura për themelimin e një subjekti politik të VLEN-it, i cili do të ketë një shtab të përbashkët, një qendër informative, kandidatët e përbashkët, programin e përbashkët dhe listat e përbashkëta të këshilltarëve,” deklaroi Mexhiti për mediat.
Ai gjithashtu shtoi se nuk synon të jetë kryetar i subjektit të ri, duke i hapur kështu rrugën Bilall Kasamit për të marrë drejtimin.
Në rast se partitë BESA, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa shkrihen në një subjekt të vetëm politik nën emrin VLEN, portali TS “parashikon” strukturën e re organizative të jetë si vijon:
Bilall Kasami – Kryetar
Izet Mexhiti – Zv/Kryetar
Adnan Azizi dhe Zeqirja Ibrahimi – Nënkryetarë
Saranda Imeri – Sekretare e Përgjithshme
Bekim Sali – Sekretar Organizativ
Ndërkohë, ASH-ja e Arben Taravarit do të garojë e vetme në zgjedhjet lokale, duke synuar bashkëpunime të kufizuara me Frontin Europian në disa komuna. Parashikimet flasin se Fronti Europian mund të sigurojë fitoren në rreth pesë komuna./TS/