Në Universitetin e Tetovës u mbajt Dita e hapur dhe Panairi i karrierës

Në sheshin e Rektoratit të Universitetit të Tetovës, sot u mbajtën dy veprimtari me rëndësi, Dita e hapur dhe Panairi i karrierës, ku morën pjesë një numër i madh i maturantëve, studentëve dhe përfaqësuesve nga kompani të ndryshme.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se Dita e hapur është mundësi e mirë për të afirmuar vlerat tona krahas përgjegjësisë, përkushtimit dhe vizionit për të ardhmen. “Jemi në Ditën e hapur për të ofruar ofertën tonë akademike, për të gjithë të rinjtë, maturantët tanë, dhe me këtë rast apelojmë te të gjithë që të orientohen tek Universiteti i Tetovës, për të përzgjedhur një nga programet studimore, pasi bazuar në infrastrukturën që e kemi si institucion i arsimit të lartë, stafin akademik, shërbimet e administratës, partneritetin të cilin e kemi, siç është partneriteti edhe me Odën Ekonomike, jemi të gatshëm edhe për këtë vit akademik të japim maksimumin që maturantët të jenë të bindur për të përzgjedhur këtë tempull të dijes. Partneriteti me Odën Ekonomike është i rëndësishëm, që programet tona të jenë në harmoni me kërkesat e ekonomisë së tregut dhe kuadrot të cilët do të dalin nesër të jenë në shërbim të të gjitha ndërmarrjeve, qytetarëve dhe institucioneve të tjera shtetërore.” – tha mes tjerash Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore, z. Mendi Qyra e falënderoi Universitetin e Tetovës për këtë iniciativë dhe theksoi se OEMVP-ja dhe biznesi në përgjithësi me universitetet dhe sistemin arsimor, është në simbiozë, sidomos kur tani në RMV ka një mungesë të fuqisë punëtore. “Presim pikërisht nga ky institucion i dijes të dalin kuadro të cilët do ta ndihmonin biznesin në përgjithësi dhe besojmë se ky bashkëpunim do të vazhdojë tutje dhe ne do t’i japim kërkesat tona, ndërsa universiteti do të ofrojë kuadro të përshtatshme për ekonominë e cila për fat të keq kohët e fundit për shkak të migrimit ka mungesë të madhe në tregun e punës.” – deklaroi kryetari i OEMVP-së, z.Mendi Qyra.
Përmes këtyre aktiviteteve, vizitorët patën mundësinë të njihen nga afër me programet studimore, kapacitetet akademike dhe mundësitë që ofron Universiteti i Tetovës për studime të mëtejshme. Fakultetet i prezantuan ofertat e tyre përmes materialeve informuese, prezantimeve interaktive dhe takimeve të drejtpërdrejta me studentët potencialë.
Njëkohësisht, në Panairin e karrierës, kompani të ndryshme vendore e rajonale promovuan produktet, shërbimet dhe ofertat e tyre për punësim dhe praktikë profesionale. Studentët dhe të diplomuarit patën mundësi të krijojnë kontakte të rëndësishme dhe të informohen për kërkesat aktuale të tregut të punës.
Në përmbyllje të aktivitetit, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për bashkëpunimin, Universiteti ynë u ndau mirënjohje kompanive pjesëmarrëse në Panairin e karrierës.
Në Universitetin e Tetovës u mbajt Dita e hapur dhe Panairi i karrierës