Përpos deklaratave me tone optimiste, Maqedonia e Veriut nuk po tregon angazhim serioz në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, që është kusht për nisjen e bisedimeve me BE-në. Ndërkohë, deklarata e ministrit të jashtëm bullgar se ndryshimet kushtetuese nuk janë kusht i vetëm i Bullgarisë ka shkaktuar reagime të forta në Shkup
Përderisa Shqipëria dhe Mali i Zi përparojnë me ritme të shpejta drejt BE-së, Maqedonia e Veriut vazhdon të qëndrojë në vendnumëro. Përveç deklaratave me tone optimiste, vendi ka ngecur në realizimin e kushtit për nisjen e negociatave me BE-në, që është miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Madje, kjo çështje është lënë në hije të përplasjeve politike për çështje të ndryshme si tragjedia në Koçan apo diskutimet se si partitë politike do të paraqiten në zgjedhjet lokale, edhe pse këto të fundit kanë ende kohë për të ndodhur. Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, për herë të fundit lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese u prononcua në fund të javës së kaluar, ku tha se është optimist që brenda vitit do të realizohet kushti kryesor i vendit dhe do të bëhen ndryshimet kushtetuese, ndërsa me hapjen e negociatave do kemi gjasë reale t’i përmbyllim ato bashkë me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Sinjali i parë në Bruksel është pranuar mjaft pozitivisht se ne jemi jo vetëm në mënyrë deklarative të interesuar, por ne po japim rezultate konkrete në procesin e euro-integrimeve me implementimin e reformave. Kemi kohë të mjaftueshme që brenda 2025 të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të dy palët, e kam fjalën me Bullgarinë që të mund përfundimisht të hiqet edhe vetoja e Bullgarisë. Unë jam shumë optimist që brenda këtij viti ne do t’i hapim negociatat dhe jam po aq optimist se kemi gjasë reale t’i përmbyllim bashkë me Shqipërinë dhe Malin e Zi”, deklaroi Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
KOS: RMV TË ARRIJË MARRËVESHJE PËR PAKICËN BULLGARE
Një gjë të tillë nuk e premton edhe komisionerja për zgjerim, Marta Kos. Gjatë vizitës së saj në Bullgari, ajo përmendi afatet për përfundimin e negociatave vetëm për Malin e Zi dhe Shqipërinë, ndërsa apeloi që vendi ynë sa më parë të integrojë pakicën bullgare në Kushtetutë.
“Aktualisht kemi dy vende të favorizuara – Mali i Zi dhe Shqipëria. Këto ditë duhet të hapim një kapitull të ri me Shqipërinë. Nëse vazhdojmë në këtë mënyrë, ne mund të përfundojmë negociatat me Malin e Zi në 2026 dhe me Shqipërinë në 2027. Ne duam që sa më shpejt të fillojmë negociatat me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ne e dimë se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të arrijnë një marrëveshje për të mbrojtur pakicën bullgare”, tha komisionerja për zgjerim, Marta Kos, e cila qëndron për vizitë në Bullgari. Ajo kërkoi nga Bullgaria që të angazhohet për të mundësuar zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perendimor. “Fotografia është e ndërlikuar. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë specifikat e tyre. Bullgaria e njeh mirë rajonin dhe është mirë të mbështesë integrimin e tyre. Besoj fuqishëm se mund të nxjerrim mësime të mira nga e kaluara”, përfundoi Kos.
Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perendimor tani është me rëndësi të madhe strategjike si për rajonin e Ballkanit, ashtu edhe për BE-në tha Kos, duke marrë parasysh edhe politikën e SHBA-së në krye me presidentin Donald Trump. “Gjeopolitika ka ndryshuar vitet e fundit jo vetëm për shkak të Ukrainës, por edhe për shkak të Shteteve të Bashkuara. Sot ne duhet të veprojmë më shpejt, të shkëputemi nga mendimet e vjetra dhe të përshpejtojmë procesin e zgjerimit”, theksoi Kos.
Nga ana tjetër, edhe kryeministri bullgar, Rosen Zheljazkov, pas takimit me komisioneren evropiane theksoi se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor është garanci për prosperitet dhe paqe, si dhe për parandalimin e ndikimeve që synojnë përçarje dhe destabilizim. “Integrimi i rajonit nuk është më çështje vlerësimi, por një zgjedhje strategjike që lidhet me stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e të gjithë Evropës. Bullgaria mbështet rrugën evropiane të çdo vendi të Ballkanit Perëndimor mbi bazën e qasjes individuale dhe përparimit të arritur”, deklaroi Zheljazkov. Ai shtoi se reformat duhet të jenë të ndërsjella dhe të shoqërohen me sinqeritet, qartësi dhe dialog. “Integrimi i Ballkanit Perëndimor është përgjegjësi me rëndësi të veçantë për Bullgarinë”, përfundoi Zheljazkov, duke theksuar se ky proces do ta forcojë dhe bëjë më të qëndrueshme BE-në.
DEKLARATA E MPJ BULLGAR NDEZ POLEMIKA NË SHKUP
Në dritën e zhvillimeve të fundit, një deklaratë e ministrit të jashtëm bullgar, Georg Georgiev, ka shkaktuar reagime të forta në Shkup. Duke folur në emisionin “Bruksel 1” të televizionit “BG on air”, Georgiev deklaroi qartë se “ndryshimet kushtetuese dhe përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë nuk janë kushti i vetëm”. Ai theksoi se ky është vetëm fillimi i procesit dhe se “nëse ndryshimet ndodhin, nuk duhet të pretendohet se Bullgaria ka pasur vetëm një kërkesë”.
“Nuk janë vetëm bullgarët ata që e kërkojnë këtë. Pas kësaj qëndron vetë Bashkimi Evropian. Ky është një konsensus evropian dhe duhet përsëritur se kjo është vetëm një pjesë e procesit”, u shpreh Georgiev.
Kjo deklaratë sipas VMRO-DPMNE-së përbën një goditje të fortë për narrativën e Qeverisë së kaluar dhe zyrtarëve të saj si Bojan Mariçiq dhe Venko Filipçe, të cilët në vazhdimësi kanë pretenduar se “ndryshimet kushtetuese janë kushti i vetëm” për të ecur drejt BE-së.
Ndryshimet kushtetuese janë i vetmi kusht për të vazhduar rrugën tonë drejt BE-së. Vazhdimi i negociatave me BE-në nuk varet nga Raporti i KE-së, por nga ndryshimet kushtetuese, janë fjalët me të cilat Bojan Mariçiq ka gënjyer dhe e ka bindur opinionin maqedonas se “bullgarët” në Kushtetutë janë gjëja e fundit që duhet gëlltitur. Përderisa VMRO-DPMNE kërkonte garanci dhe ndryshime kushtetuese me afat të prolonguar, LSDM sërish na bindte se nuk ekziston rreziku i vetos së re nga Bullgaria. Kryetari Hristijan Mickoski ka treguar qartë se ndryshimi i kushtetutës është vetëm fillimi i kërkesave, ndërsa LSDM ka gënjyer se kjo nuk është e vërtetë”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Sipas kësaj partie, LSDM ka shitur interesat kombëtare të vendit, ndërsa i bënë thirrje kryetarit të LSDM-së Venko Filipçe që të kërkojë falje. “Ku është tani Venko Filipçe për ta bindur opinionin se amendamentet kushtetuese janë kushti i vetëm për përparim? A do të kërkojnë falje që kanë gënjyer publikun? Një gjë është e sigurt, LSDM është sinonim i paaftësisë, krimit dhe tradhtisë”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Pushteti vlerëson se miratimi i ndryshimeve kushtetuese mund të bëhet vetëm nëse marrin garancë prej BE-së dhe Bullgarisë dhe nuk do të ketë kërkesa të reja nga pala bullgare. Ish deputetja, njëherësh analistja politike Nikica Korubin vlerëson se vendi nuk është në situatë që të kërkojë garanca. Ajo vlerëson se është mirë që autoritetet tona t’u tregojnë qytetarëve të vet “garancitë” e tyre për shtetin, për shkak të së cilave e kanë fituar besimin në zgjedhje.
“Garanca në thelb është ‘detyrim që duhet të përmbushet’ dhe nisur nga kjo, në fakt, garancia nga ne mund të kërkohet, por jo të jepet. Sepse ne kemi për detyrë t’i përmbushim kriteret e BE-së, të cilat nënkuptojnë një jetë më të mirë për të gjithë ne, në një shoqëri normale dhe funksionale. Asnjë “zëvendësim i tezës” nuk do ta ndryshojë këtë, sepse, në fakt, garancia më e madhe për ne, si qytetarë dhe si shtet, është pikërisht anëtarësimi në BE”, vlerëson ish deputetja Nikica Korubin. Ajo thekson se partitë politike duhet urgjentisht të kuptojnë rëndësinë e integrimit në BE.