Mickoski në Këshillin për Reformë në Administratën Publike: Është koha për ndryshime, na nevojitet një administratë efikase dhe e përkushtuar, e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve

“Mirëdita dhe ju falënderoj për praninë tuaj në mbledhjen e dytë me radhë të Këshillit për Reformën e Administratës Publike. Kjo mbledhje është e dyta me rradhë që nga miratimi i Strategjisë së re për reformën e administratës publike dhe e para në këtë përbërje,” theksoi sot kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij në mbledhjen e dytë të Këshillit për Reformën e Administratës Publike.

“Përpara se të filloj me rendin e ditës, dua të theksoj disa gjëra. Administrata publike nuk është vetëm një mekanizëm për zbatimin e ligjeve dhe politikave, ajo është fytyra e shtetit, pasqyrim i efikasitetit të tij dhe përkushtimit ndaj qytetarëve. Sa më mirë të organizohet, aq më shpejt dhe në mënyrë më cilësore do të ofrojë shërbime. Fatkeqësisht, në vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të dobësive, partizimit, joefikasitetit dhe mungesës së kompetencës në disa kuadro. Tani është koha për ndryshime,” tha kryeministri Mickoski.

Kryetari i Qeverisë Mickoski gjithashtu nënvizoi se nuk do të ketë më qëndrime në shtëpi dhe marrje pagash dhe se Qeveria do të përqendrohet në disa elemente ta bëjë administratën publike më efikase.

“Mund të kumtoj se nuk do të ketë më njerëz që qëndrojnë në shtëpi dhe marrin pagë.

Po luftojmë për një sistem meritash në vend të ndikimeve partiake.

Administrata profesionale nënkupton që punësimet dhe avancimet të bazohen në njohuri, aftësi dhe rezultate dhe jo në lidhje politike apo personale. Futja e kritereve transparente për përzgjedhje, testim dhe vlerësim të vazhdueshëm do të garantojë që vetëm më të mirët të jenë pjesë e institucioneve.

Trajnim dhe zhvillim i vazhdueshëm – bota po ndryshon shpejt dhe me të edhe sfidat në sektorin publik. Prandaj, nëpunësit tanë duhet të përmirësohen vazhdimisht. Do të sigurojmë programe trajnimi, shkëmbim përvojash me administrata të avancuara dhe implementim të praktikave më të mira ndërkombëtare.

Profesionist nuk është vetëm ai që di, por edhe ai që punon me përgjegjësi dhe transparencë. Do të forcojmë ndërgjegjen etike dhe mekanizmat e llogaridhënies së administratës ndaj qytetarëve.

Digjitalizimi për efikasitet më të madh është shumë i rëndësishëm. Administrata publike moderne duhet të jetë teknologjikisht e avancuar. Do të investojmë në mjete digjitale që do të zvogëlojnë kohën e përpunimit të kërkesave, do të eliminojnë hapat e panevojshme dhe do të rrisin efikasitetin.

Një administratë cilësore kërkon nëpunës të motivuar dhe të kënaqur. Kjo do të thotë kushte më të mira pune, paga dinjitoze dhe mundësi avancimi bazuar në merita reale,” tha ai.

Në fund, kryeministri Mickoski theksoi se administrata publike është një shërbim për qytetarët dhe se reforma duhet të zbatohet nëse duam një shtet evropian.

“Ky nuk është një ndryshim që ndodh brenda natës, por është një reformë që duhet ta zbatojmë nëse duam një shtet modern, evropian. Administrata publike duhet të jetë shërbim për qytetarët dhe jo institucion që e pengon shtetin. Është koha të krijojmë një sistem ku profesionistët do ta çojnë administratën përpara,” përfundoi Mickoski.