Vikendin që lamë pas, rreth 30 inspektorë të Inspektoratit të Tregut kanë kryer kontrolle në markete, sallone të mobiljeve, teknikës së bardhë dhe në barnatore, përfshi edhe barnatoret bujqësore, ku kanë regjistruar lëshime, sa i përket obligimit për publikimin e çmimeve në ueb faqe. Por tani për tani ata nuk shqiptojnë dënime, duke shpresuar se deri në fund të javës do të korrigjohen lëshimet. Dënimet janë të larta prej njëmijë deri në 10 mijë euro. Por, derisa bizneset, e sidomos farmacitë janë ankuar se po përballen me vështirësi në implementimin e masës për publikimin transparent të çmimeve, qytetarët që anketoi TVM2, ende nuk e kanë shumë të qartë se si të kontrollojnë çmimet, sidomos më të moshuarit të cilët nuk janë shumë përdorues të internetit.
“Qoftë onlajn apo jo, është njëjtë. Nuk do të ndodh asnjëherë që të ketë zbritje.”, – tha një qytetar.
“Onlajn shumica nuk dinë.”, – tha një qytetar tjetër.
Farmacitë ndërkohë kërkojnë që të mos përfshihen në detyrimin e publikimit të çmimeve në internet. Por, qytetarët thonë se nëse masa vlen për çdo tregtar me pakicë, ajo duhet të vlejë edhe për farmacitë, sepse çmimet e tyre variojnë shumë nga njëra farmaci në tjetrën. Ata njëherit nuk presin që kjo masë të ndikojë në uljen e çmimeve, qoftë në treg apo barnatore.
“Farmacia e ka biznesin më të madh. Më shumë po fiton. Aty çmimet janë marramendëse. Çmimet e barnave duhet të jenë onlajn, duhet të jenë më në rregull. Secila barnatore e ka çmimin e vet dhe ne nuk dimë se sa është me recetë, sa duhet të paguajmë. Marrin sa të duan vet dhe kjo nuk është në rregull.”, – u shpreh një qytetar.
“Çmimet me të vërtetë nuk rrinë njëjtë. Janë në lëvizje. Diku bien e diku jo, jo vetëm në barnatore, por edhe në treg, edhe nëpër supermarkete. Ato çmime janë të rrejshme, vendosin çmime pak më të larta, të njëjtat çmime që kanë qenë i mbajnë aty.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
“Asgjë, s’ka para, rrogat, pensionet janë të ulëta. Shumë shtrenjtim i madh.”, – tha një qytetar.
Sipas Rregullores së hartuar në përputhje me ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, marketet duhet t’i përditësojnë çmimet çdo ditë deri në orën 10:00.