LSDM: Me arrestimin vetëm të ish-policëve, hetimi për Koçanin po shndërrohet në farsë

Informacionet e fundit të publikuara, se janë ndaluar ish-zyrtarë policorë, prej të cilëve pesë tashmë janë në pension, janë edhe një dëshmi tjetër për selektivitetin e hetimit për rastin në Koçani. Në vend të drejtësisë, opinioni publik po dëshmon se nën udhëheqjen e Toshkovskit, hetimi për tragjedinë më të madhe në Maqedoni po shndërrohet në një farsë të turpshme dhe të papranueshme.

“Si është e mundur që pas 30 ditësh nga tragjedia të kërkohet faj vetëm te ish-zyrtarët policorë për periudhën nga viti 2012 deri në 2022, dhe jo te ata aktualë?”, pyesin nga LSDM.

“Si nuk u gjet asnjë fajtor mes shefave dhe zyrtarëve aktualë të MPB-së, të cilët ishin drejtpërdrejt përgjegjës për sigurinë e qytetarëve natën fatale, më 16 mars 2024? Pse shefi i krimeve në Koçani, Tomo Donev, nuk është mes të ndaluarve? Pse as shefja e SPB Koçani, Marija Cvetkovska Manevska, nuk është përfshirë? Si është e mundur që as shefi i SPB Shtipit, e as shefi i krimeve në Shtip të mos jenë pjesë e hetimit? Kjo është një poshtërim për drejtësinë dhe mbrojtje selektive e funksionarëve të afërt me Toshkovskin dhe VMRO-DPMNE-në”, theksojnë nga partia dhe shtojnë:

“Kërkojmë që Toshkovski të japë dorëheqje, në mënyrë që hetimi të mund të vazhdojë në mënyrë jo-selektive. Përndryshe, qytetarët do ta humbasin tërësisht besimin se do të ketë drejtësi të vërtetë për tragjedinë e madhe. LSDM nuk do të heshtë përballë padrejtësive, selektivitetit dhe mungesës së parimeve, dhe do të kundërshtojë fuqishëm. Nuk do të ketë drejtësi për Koçanin derisa të japin përgjegjësi ata që kanë pasur mundësi ta parandalojnë tragjedinë – jo vetëm penalisht, por edhe institucionalisht dhe politikisht.”