Krasniqi: Shtatë deputetë të pakicave joserbe, pro qeverisë “Kurti 3”

Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal në Kosovë dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka thënë se shtatë deputetë nga komunitetet pakicë joserbe do të votojnë pro konstituimit të Kuvendit të ri dhe një qeverie të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne jemi për Qeverinë Kurti për shkak se Kurti i ka fituar zgjedhjet edhe ka shumicën e shqiptarëve. Tash po i relatizojmë numrat, por është 42.3% [numri i votave të LVV-së], është shumë, është thuajse sa të gjithë të tjerët bashkë dhe për neve ky është një vlerësim i qytetarëve të Kosovës i rëndësishëm dhe që duhet të respektohet”, tha Krasniqi.

Pas regjistrimit si deputet në legjislaturën e re, Krasniqi tha për mediat para Kuvendit të Kosovës se qëndrimin e njëjtë e kanë edhe deputetë të tjerë të grupit parlamentar të pakicave joserbe, ku tha se deri më tani janë shtatë deputetë.

Në këtë mes përfshihen Krasniqi, Emilija Rexhepi nga Partia e Re Demokratike (NDS), Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar, Rasim Demiri nga koalicioni VAKAT, dhe përfaqësuesit e Partisë të Ashkalinjëve për Integrim dhe ata të KDTP-së (Kosova Demokratik Turk Partisi).

Tri ulëset e tjera të pakicave joserbe u takojnë Duda Bales nga Lidhja Socialdemokrate Boshnjake e Kosovës, Adem Hoxha nga Partia Unike Gorane dhe Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane.

Duke folur për mediat që prisnin deputetët që regjistroheshin për legjislaturën e re, Berisha tha se ende nuk ka vendosur se si do të votojë nesër dhe se nuk ka marrëveshje me asnjë parti politike.

Ndërkohë, javën e kaluar, Hoxha tha se as ai nuk ka vendosur nëse do ta mbështesë një qeveri të re të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.