Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se po presin që kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të provojë ta themelojë qeverinë e re, si parti e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. E, pas kësaj, nëse Kurti dështon ta formojë qeverisë, ai ka shtuar se PDK-ja është e gatshme.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja do të arrijë ta formojë qeverinë, nëse nuk e bën VV-ja, dhe se këtë do ta bënte pavarësisht çfarëdo kërkesash të partive të tjera.
“Presidentja do të duhej, në rastin e dështimit të Kurti, si i pari në këto zgjedhje, me na ftuar neve për me mandatu. Ne e kemi të mandatuar Bedri Hamzen. Jam i bindur që është përtej një figure partiake politike, një figurë e pranueshme edhe për partitë tjera politike dhe qytetarë në përgjithësi, pa dallim të votave që i kanë dhënë më 9 shkurt. Kishim me arrit me i vendos interesat e vendit përtej interesave dhe kërkesave partiake që mund t’i kenë partitë”, deklaroi kreu i PDK-së.
Ai derisa hynte në Kuvendin e Kosovës, është pyetur edhe sa i përket pozitës së presidentes.
“Është shumë herët me fol për presidente 11 muaj mandat i kanë mbet presidentes aktuale. Sikur të merreshin vesh shpejt për të formuar një qeveri të re të udhëhequr nga Bedri Hamza, ma merr mendja që në proces janë 10-11 muaj të cilat do të sjellë një situatë të re”, u shpreh ai.