KFC mbyllet zyrtarisht në Turqi: 283 Restorante mbyllin dyert, shkak borxhet dhe bojkoti

Të gjitha restorantet e zinxhirit të njohur të ushqimit të shpejtë KFC në Turqi janë mbyllur zyrtarisht, pas vendimit të gjigantit amerikan Yum! Brands për të ndërprerë marrëveshjen e franshizës me kompaninë turke İş Gıda A.Ş..

Vendimi erdhi më 8 janar 2025, për shkak të “mosrespektimit të standardeve të korporatës”, sipas një deklarate të Yum! Brands. Si rezultat, 283 restorante KFC dhe 254 Pizza Hut ndaluan menjëherë aktivitetin e tyre në të gjithë vendin, duke lënë mijëra punëtorë pa vend pune.

Situata u përkeqësua më tej kur İş Gıda shpalli falimentin më 7 shkurt 2025, me një borxh që tejkalonte 214 milionë dollarë. Kompania deklaroi se ndërprerja e marrëveshjes me Yum! Brands ishte arsyeja kryesore e kolapsit financiar.

Sipas mediave turke dhe ndërkombëtare, rënia e shitjeve me mbi 40% në muajt e fundit u shkaktua edhe nga një bojkot i konsumatorëve turq ndaj markave perëndimore, si shenjë proteste për konfliktin në Gaza. Kjo e ka bërë situatën të papërballueshme për operatorin lokal të franshizës.

Yum! Brands ka shprehur synimin që në të ardhmen të rikthejë markat e saj në Turqi përmes partnerëve të rinj, por për momentin asnjë prej lokaleve të KFC apo Pizza Hut nuk funksionon në vend.