Katër ditë para seancës, VV’së i mungojnë votat për qeverinë e re

Edhe katër ditë na ndajnë nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Partia që ka dalë e para, është deklaruar se nuk i ka 61 votat e nevojshme, analistët janë të ndarë në mendime sa i takon arritjes së numrave deri në seancën e 15 prillit.

Nevoja për përfshirjen e një partie shqiptare në koalicion për formimin e qeverisë së re të vendit u pranua këtë javë nga numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Refuzimi që Abdixhiku i bëri Kurtit, por edhe qëndrimi i dy partive të tjera, PDK e AAK, se nuk bëjnë kurrfarë marrëveshje me partinë fituese, është rezultat i gjuhës së përdorur gjatë fushatës të ditës së zgjedhjeve, thotë njohësja e zhvillimeve politike, Besa Luzha.

“Ai gabimi që e ka bërë ditën e votimit, për t’u barrikaduar, e ofenduar, tash si duket po ju kushton, dhe na e kemi ditë që ka për të ardhur në këtë gjendje kur detyrohesh për të kërkuar ndihmë, ose prej subjekteve shqiptare ose ato që janë minoritet”, tha Luzha për RTK-në.

Por, një njohës tjetër mendon se deri në ditën e konstituimit të kuvendit, partia fituese e zgjedhjeve do të konfirmojë edhe numrin e deputetëve që i duhen për ta bërë qeverinë e vendit.

“Deputetët e komuniteteve joserbe, tradicionalisht e kanë mbështetur krijimin e qeverisë, por këtë herë, u tha se disa janë ndikuar nga Serbia dhe po e pengojnë krijimin e institucioneve të reja të vendit. Me disa prej 10 këtyre deputetëve, televizioni ka biseduar, këto ditë, por asnjëri nuk është deklaruar mbi atë se nga kush po shtyhen të mos bëhen pjesë e qeverisë së re të vendit”, tha Dorajet Imeri, njohës i zhvillimeve politike.

Ish-kryetarja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi dje se janë me dy vota mangu për ta ndërtuar shumicën parlamentare dhe qeverinë e re, duke përmendur 8 vota nga pakicat jo serbe dhe tri të Nismës, kryetari i së cilës, Fatmir Limaj, ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjen e Albin Kurtit.