Gjykata Penale në Shkup ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për drejtorin e Spitalit të Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative në Shkup, Muhsin Arifi, dhe një person tjetër, të dyshuar për marrje ryshfeti në shumë prej 20.000 euro për të pranuar një pacient të sëmurë në këtë institucion.
“Sipas propozimit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjykata caktoi paraburgim për të dy të dyshuarit M.A. dhe B.A. për shkak të ekzistimit të rrezikut për arratisje, ndikim ndaj dëshmitarëve dhe mundësisë për përsëritje të veprës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas Prokurorisë, Arifi, në cilësinë e drejtorit, gjatë periudhës nga 19 marsi deri më 8 prill 2025, në disa raste ka kërkuar përfitime materiale për të kryer një detyrë zyrtare që kishte për obligim ta kryente.
Ryshfeti është kërkuar nga një dëshmitare në procedurë – përkujdestare e një personi të sëmurë, të cilit i ishte rekomanduar kujdes spitalor. Fillimisht, pacienti ishte futur në listën e pritjes. Por pas disa ditësh, dëshmitarja është kontaktuar nga i dyshuari i dytë dhe i është caktuar takim me drejtorin në një lokal në Shkup.
Gjatë takimit, drejtori i ka thënë se është në dijeni për pasurinë e pacientit dhe ka kërkuar 100.000 euro në këmbim të pranimit të tij në spital. Dëshmitarja ka refuzuar, duke thënë se shuma është shumë e lartë, ndërsa drejtori i ka propozuar shitjen e banesës së pacientit për ta siguruar shumën – një opsion i pamundur pasi banesa ishte përfshirë në kontratën për përkujdesje të përjetshme.
Më 8 prill, dëshmitarja i ka dorëzuar 20.000 euro të dyshuarit të dytë si garanci për pranimin e pacientit, pas çka ai është arrestuar në vend nga policia. Ndaj të dyshuarve është ngritur procedurë hetimore dhe masa e paraburgimit është në fuqi.