Jakimovski priste të lirohej: Mendova se sot do festonim, përndjekja ka kohë që vazhdon, më kanë lodhur

Pas dënimit me tre vjet e gjashtë muaj burg, kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, deklaroi se qëllimi është ta largojnë nga skena politike dhe theksoi se është plotësisht i pastër. Ai u ndoq penalisht për legalizimin e objekteve të përkohshme, gjë që sipas tij ishte jashtëligjshme vetëm nëse bëhej fjalë për objekte të qëndrueshme.

“Po pyes veten, nëse kjo më ndodh mua si person publik, çfarë ndodh me njerëzit e thjeshtë nëpër labirinthet gjyqësore? Më kanë dënuar sepse kam ndërtuar këto baraka, ndërsa në projekt thuhet ndërtim i një barake të montueshme dhe çmontueshme, pra objekte të përkohshme. Për objekt të përkohshëm kemi vendim të këshillit, dhe për të tillë nuk mund të ndiqesh penalisht. Prokuroria u bazua në një falsifikim që e kemi dëshmuar me ekspertizë. Prokurorja mbahet për një fije shprese se ato objekte janë vendosur si të përkohshme që nga viti 1987, por çfarë ka ndodhur nga ajo kohë deri në vitin 2013? U është humbur statusi si objekte të përkohshme, nuk u janë vazhduar lejet as objekteve as tokës me qira. Këto objekte janë bërë të ndërtuara pa leje. Të gjitha janë ndryshuar, janë zgjeruar me shumë metra katrorë. Ne nuk jemi vetëm në këtë proces, mori pjesë edhe një gjeometër. Të gjitha këto objekte janë të shënuara si ndërtim pa leje, ndërsa prokurori pretendon se janë objekte të përkohshme, por në historikun e Kadastros nuk figurojnë si të tilla”, deklaroi Jakimovski.

Ai shtoi: “Kjo ‘gjueti’ ka kohë që zhvillohet, për të na larguar ne që kemi shkolla cilësore, që të vijnë ata me diploma të blera. Është luftë e vështirë, po përballesh me shtetin, me pjesën më të fuqishme – Prokurorinë. Do të bëjmë ankesë në Apel, argumentet janë 1000% në anën tonë. Dhe unë mendova sot ta festoj me kolegët… Kjo është një shoqatë e organizuar për të na hequr neve që kuptojmë punën, që kemi rezultate, sidomos para zgjedhjeve lokale. Edhe komunën, edhe shtetin duan ta udhëheqin ata me diploma të blera, dhe kjo Qeveri nuk turpërohet”, akuzoi Jakimovski, duke shtuar se ndaj tij ishte ushtruar presion për të nxjerrë deklarata kundër vetes.

Jakimovski tha se njëra palë i kishte ngritur kallëzim penal, ndërsa pala tjetër i kishte sjellë dënimin, ndërkohë që ai po lufton për shtetin dhe respektimin e ligjit. Sipas tij, ai priste një aktgjykim lirues.

“Argumentet janë 100% në anën tënde, nuk e di pse po provohemi për gjashtë vjet e gjysmë. Vërtet më lodhën, nuk e di pse po shkojmë në gjykata. Në vend të drejtësisë hyjnore, morëm një dënim prej 3,6 vitesh”, përfundoi Jakimovski.