Në një botë që kërkon vazhdimisht lumturinë, shkencëtari dhe profesori i Harvardit, Arthur C. Brooks, sjell një perspektivë ndryshe: bujaria dhe altruizmi mund të jenë çelës për mirëqenien emocionale dhe zbutjen e vuajtjeve të brendshme.
Sipas tij, të ndihmosh të tjerët nuk është thjesht një akt i mirë, por një mënyrë konkrete për të përmirësuar jetën tënde.
Arthur Brooks është një nga emrat më të njohur në fushën e studimeve mbi lumturinë.
Ai jep mësim në Harvard Business School dhe në Shkollën e Qeverisë John F. Kennedy, ku fokusohet në lidhjen mes emocioneve njerëzore, marrëdhënieve sociale dhe bujarisë.
Brooks argumenton se mirëqenia e njeriut lidhet ngushtë me aftësinë për të dhënë, por edhe për të pranuar ndihmë e dashuri.
Në shkrimet e tij të përjavshme, si në ‘The Atlantic’, ai ndan strategji të bazuara në kërkime shkencore për të ndihmuar njerëzit të jetojnë më mirë.
Gjatë jetës, të gjithë kalojmë periudha të vështira emocionale.
Në vend që të izolohemi apo të fokusohemi vetëm te ndihma që na ofrojnë të tjerët, Brooks sugjeron një qasje që ndihmojnë se si të jetoni të lumtur.
Kërkimet tregojnë se aktet e vogla të bujarisë si një gjest i thjeshtë ndihme apo një fjalë e mirë, stimulojnë çlirimin e endorfineve, substanca natyrale që na bëjnë të ndihemi më mirë.
Po ashtu, aktivizohet edhe ‘qarku i shpërblimit’ në tru, duke përforcuar ndjesinë e kënaqësisë dhe duke reduktuar stresin.
Brooks e përshkruan bujarinë si një cikël të shëndetshëm ku dhënia dhe marrja janë në harmoni. Të ndihmosh dikë nuk është vetëm një akt i njëanshëm.
Shpesh, ndihma kthehet në forma të papritura dhe forcon lidhjet ndërnjerëzore.
Ky shkëmbim emocional pozitiv e përmirëson mirëqenien dhe krijon ndjesinë e komunitetit.
Aktet e vogla të përditshme, si kërkimi i një mendimi apo një kafe e blerë për dikë tjetër, janë mënyra të thjeshta për të ruajtur këtë lidhje.
Sipas studimeve që citon Brooks, njerëzit që kanë bërë ndihma në të kaluarën janë më të prirë ta bëjnë këtë sërish, duke krijuar një rrjet ndjeshmërie që përhapet në mënyrë natyrale.
Një nga mesazhet më të forta që përcjell Arthur Brooks është se altruizmi mund të jetë një kundërhelm për vetminë.
Në vend që të mbyllemi në vete kur përjetojmë dhimbje, ai na fton të hapemi drejt të tjerëve, jo për të marrë, por për të dhënë. Kjo e ndryshon përjetimin tonë emocional dhe na jep një ndjenjë qëllimi.
Në një kohë kur shumë njerëz ndihen të shkëputur emocionalisht, krijimi i marrëdhënieve përmes mirësisë dhe dhurimit të vetes është një nga mënyrat më të fuqishme për të ndërtuar një jetë me kuptim dhe lidhje të vërtetë njerëzore.
Në fund, sipas Brooks, nuk është e mjaftueshme të jemi bujarë, duhet të mësojmë edhe të pranojmë.
Vetëm atëherë rrethi i mirësisë mbyllet dhe kthehet në një burim të qëndrueshëm mirëqenieje për të gjithë.