Mediat botërore u grumbulluan jashtë një hoteli luksoz në kryeqytetin austriak, Vjenë, në verën e vitit 2015 për të kapur një paraqitje të shkurtër të diplomatëve – duke negociuar fazat përfundimtare dhe më të vështira të një marrëveshjeje komplekse bërthamore.
Por marrëveshja që u nënshkrua nga Irani – dhe gjashtë fuqi ndërkombëtare: SHBA, Kina, Rusia, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, së bashku me Bashkimin Evropian, në fakt e kishte origjinën e saj në bisedimet sekrete më shumë se dy vjet më parë në shtetin e Gjirit të Omanit.
Dhe, pikërisht këtu do të kthehen negociatorët e SHBA-së dhe Iranit – për t’u përpjekur për të ribërë një marrëveshje – pasi ajo e para u prish nga Presidenti Trump në 2018.
Trump thotë se bisedimet do të jenë të drejtpërdrejta dhe të dyja palët do takohen ballë për ballë. Por kjo u mohua nga Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, i cili tha në televizionin iranian, Ne nuk kemi plane t’i bëjmë bisedimet direkte.
Është Araghchi ai që do të përfaqësojë Iranin në Oman. Ai ka përvojë të madhe në dosjen bërthamore, më parë ishte kryenegociatori i vendit të tij dhe mori pjesë në disa nga bisedimet sekrete në kryeqytetin e Omanit, Muscat, 12 vjet më parë.
Steve Witkoff do të drejtojë ekipin amerikan, mik i Trump. Ai u vu në krye të negociatave të armëpushimit në Gaza dhe më pas iu kërkua të merrej me Ukrainën dhe Rusinë.
Vëzhguesit paralajmërojnë të mos presin shumë nga ky takim i parë në Oman. E rëndësishme është që bisedimet të mos dështojnë plotësisht dhe të mund të nisë një proces.