Interi fiton si mysafir i Bayernit

Interi ka marrë fitore të madhe në ndeshjen e parë çerekfinale ndaj Bayern Munich në Munich me rezultat 1-2.

Ishin bavarezët që krijuan më shumë raste shënimi me Michel Olise, Harry Kane e Raphael Guerreiro, por që Yan Sommer ishte në vend.

Ndërkohë në minutën e 38-të tifozët e panë golin e parë në këtë ndeshje.

Neroazzurët kaluan në epërsi pas një aksioni spektakolar, ku Marcus Thuram asistoi te Lautaro Martinez i cili me të jashtme shënoi bukur për 0-1.

Kësisoj 45 minutat e para të ndeshjes u mbyllën me epërsinë minimale të Interit 0-1.

Në pjesën e dytë bavarezët shtuan presionin në ofensivë duke sulmuar me të gjitha forcat.

Harry Kane dhe Michel Olise sërish krijuan raste të mira, por pa sukses.

Vendasit golin e barazimit e gjetën në minutën e 84-të të ndeshjes.

Konard Laimer asistoi bukur për veteranin Thomas Muller i cili u gjend bukur afër golit dhe realizoi për 1-1.

Por gëzimi i vendasve nuk zgjati më shumë se pesë minuta, pasi Interi e gjeti sërish golin.

Pas një kundërsulmi të shpejtë, Carlos Augusto asistoi te Davide Frattesi i cili nga afërsia shënoi për 1-2.

Deri në fund gola më nuk pati dhe Interi mori një fitore të madhe në Munich, duke bërë një hap gjigant për gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e kthimit zhvillohet në Giuseppe Meazza të mërkurën e ardhshme.