Incidenti i mbrëmshëm në Zveçan, Policia: Njësia anti-terror po punon intensivisht për të zbuluar autorët
Në orët e para të së martës ka ndodhur një shpërthim te zyrat e reja të Postës së Kosovës në Zveçan dhe nga detonimi nuk ka pasur të lënduar, ndërsa ka dëme materiale.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje se si “pasojë e shpërthimit të njërës granat janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar”. Sipas njoftimit thuhet se në vendin e ngjarjes kanë vërejtur edhe një granatë të pa shpërthyer dhe janë evakuar banorët në afërsi nga vendi i ngjarjes, deri sa ka ndodhur shpërthimi i granatës.
Në njoftim thuhet se ekipet policore janë duke punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij shpërthim.
“Me datën 01.04.2025 rreth orës 00:20 person/a të panjohur kanë hedhur dy (2) granata dore në objektin e Postes se Kosovës në Zveçan. Si pasojë e shpërthimit të njërës granat janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar. Njësitet policore relevante pasi kane dale ne vend te ngjarjes kanë vërejtur se brenda objektit gjendet edhe një granatë e pa shpërthyer, ku ne lidhje me këtë njësitë policore paraprakisht kanë bërë sigurimin e vendit te ngjarjes, ndërsa banoret janë evakuuar për një kohë, deri sa nga njësia e specializuar për trajtimin e mjeteve eksplozive kanë bërë shpërthimin e granatës në mënyrë të kontrolluar.
LEXO EDHE:
Cilat informacione nuk duhet t’i ndani kurrë me ChatGPT?
Njësia anti-terror janë duke punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij shpërthimi. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Policia e Kosovës i dënon ashpër këto veprime të rrezikshme dhe apelon tek qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të këtij shpërthimi.
Çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet mund të raportohet në numrat e Policisë apo përmes linjave të besueshme të raportimit”, thuhet në njoftim.