Financial Time: Vuçiqi përballë dy afateve të fundit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përballet me javët më sfiduese të karrierës së tij, ka raportuar “Financial Times” të hënën. Janë dy afate politike që kanë potencialin ta vulosin fatin e regjimit të tij, sipas shkrimit.

Prej fundit të vitit të shkuar në Serbi po mbahen protesta të vazhdueshme pas vdekjes së 15 personave në Novi-Sad, si pasojë e shembjes së një strehe të stacionit të trenit. Vuçiqi e shkarkoi kryeministrin si përpjekje për të plotësuar kushtin e studentëve protestues. Ai ka afat deri në mes të prillit për të zgjedhur pasuesin ose duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja. Të dielën, ai propozoi Gjuro Macutin për kryeministër.

Por dhënia e mandatit për Macutin, që ka thënë se politika nuk duhet të jetë pjesë e universiteteve, sipas analistëve, nuk do të ndalë lëvizjen protestuese. Ai duhet të zgjidhet kryeministër deri më 18 prill.

Edhe nëse përfundon me sukses zgjedhjen e kryeministrit të ri, Vuçiqi ka përballë vetes edhe një afat tjetër që mund të jetë përcaktues për të ardhmen e tij politike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zgjatur dy herë afatin kohor që Serbia të gjejë blerës për Industrinë e Naftës të Serbisë (NIS), të udhëhequr nga Gazpromi, ose do të përballet me sanksione. Por kompania ruse nuk është e gatshme të shesë aksione.

“Qasja ruse është që duan ta mbajnë me çdo kusht”, ka thënë Vuçiqi më herët për FT.

Më 29 mars, Vuçiqi njoftoi se afati i fundit është shtyrë për 30 ditë.