Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka kritikuar Izraelin për minimin e stabilitetit në Sirinë fqinje gjatë një forumi diplomatik, disa ditë pasi të dy vendet zhvilluan bisedime me qëllim zbutjen e një konflikti të përshkallëzuar mes tyre në tokën siriane.
“Turqia nuk do të lejojë që Siria të tërhiqet në një vorbull të re paqëndrueshmërie”, tha Erdogan.
“Ne jemi në dialog të ngushtë dhe në mirëkuptim të përbashkët me të gjithë aktorët me ndikim në rajon, veçanërisht Trump dhe Putin, në lidhje me ruajtjen e integritetit territorial dhe stabilitetit të Sirisë”, shtoi ai.
Bëhet e ditur se të pranishëm në forum ishin ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov si dhe presidenti sirian Ahmed al-Sharaa, i cili takoi Erdoganin në margjinat e konferencës në Antalia.
Presidenca turke tha se Erdogan përsëriti përpjekjet e Ankarasë për të hequr sanksionet ndaj Sirisë dhe i tha Sharaa se Turqia “mirëpret faktin që atyre që duan të ndodhë përsëri kaos në Siri nuk u jepet një mundësi”, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Raportohet se tensionet midis Izraelit dhe Turqisë janë rritur që nga përmbysja e Assadit, duke arritur kulmin pasi forcat izraelite goditën tre baza ushtarake në të gjithë Sirinë me sulme ajrore në fillim të këtij muaji.
Reuters raportoi se ekipet ushtarake turke kishin kontrolluar aeroportin kryesor në provincën Hama, si dhe bazat ajrore T4 dhe Palmyra në Homs, duke vlerësuar pistat, hangarët dhe infrastrukturën për të parë nëse forcat dhe pajisjet ushtarake mund të vendoseshin atje si pjesë e një pakti të planifikuar të përbashkët të mbrojtjes midis Ankarasë dhe Damaskut.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, i quajti sulmet ajrore “një mesazh dhe paralajmërim të qartë për të ardhmen”.
Izraeli ka goditur objektet ushtarake në Siri qindra herë që kur Assad u largua në Moskë katër muaj më parë, duke shkatërruar asetet ushtarake, duke përfshirë sistemet raketore dhe mbrojtjen ajrore që qeveria kalimtare në Damask kishte shpresuar të trashëgonte.
Ndryshe, përmbysja e Assadit shënoi fundin e mbi 50 viteve të sundimit diktatorial nga familja e tij, si dhe një ndalesë të një lufte civile dhjetëvjeçare që u shndërrua në një konflikt të ngrirë.