“Do të vdesim urie”: Panik në Pakistan, India kërcënon me ndërprerjen e ujit në Lumin Indus

Duke i spërkatur me pesticide perimet e tij të etura për ujë afër Lumit Indus, bujku pakistanez, Homla Thakhur, është i brengosur për të ardhmen e vet. Dielli është në zenit, lumi ka nivel të ulët të ujit dhe India është zotuar se do ta ndërpresë furnizimin me ujë në pjesën më të lartë të rrjedhës së tij pas një sulmi vdekjeprurës të militantëve në Kashmir.

“Nëse e ndalin ujin, tërë kjo do të shndërrohet në shkretëtirën Thar, mbarë vendi” – tha bujku 40-vjeçar, para se të nisej drejt lumit për ta rimbushur rezervuarin për pajisjen me të cilën i spërkaste të mbjellat, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Do të vdesim urie” – shtoi ai.

Toka e tij gati 5-hektarëshe ndodhet në zonën Latifabad të provincës juglindore Sindh, nga ku Lumi Indus rrjedh drejt Detit Arab, pasi fillon në Tibet dhe gjarpëron nëpër Indi.

“Do të vdesim urie”: Panik në Pakistan, India kërcënon me ndërprerjen e ujit në Lumin Indus
Frikën e bujkut Thakhur e ndajnë edhe më shumë se 15 bujq të tjerë e disa ekspertë, sidomos në kohën kur reshjet e shikut janë pakësuar viteve të fundit.

Për herë të parë, India të mërkurën e pezulloi Traktatin për Ujërat e Lumit Indus të vitit 1960, i ndërmjetësuar nga Banka Botërore e me të cilin sigurohet uji për 80 për qind të fermave pakistaneze, duke thënë se vendimi do të zgjasë derisa “Pakistani në mënyrë të besueshme e të pakthyeshme ta tërheqë mbështetjen e tij për terrorizmin matanë kufirit”.

Sipas autoriteteve indiane, dy nga tre militantët që i sulmuan turistët dhe vranë 26 burra në Kashmir ishin nga Pakistani. Islamabadi ka mohuar çfarëdo roli në sulm dhe ka thënë se “cilado përpjekje për ta ndalur ose devijuar rrjedhën e ujit që i përket Pakistanit… do të konsiderohet si akt lufte”.


Me traktatin e vitit 1960 ndahet Lumi Indus dhe degët e tij mes dy vendeve rivale që kanë armë bërthamore.

Zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë në të dyja vendet thonë se India nuk mund ta ndërpresë menjëherë rrjedhën e ujit, sepse traktati i lejon vetëm që të ndërtojë hidrocentrale pa rezervuare domethënëse ose diga në tre lumenjtë që rrjedhin drejt Pakistanit. Megjithatë, gjërat mund të fillojë së ndryshuari brenda disa muajve.

“Ne do të sigurohemi që asnjë pikë e ujit të Lumit Indus të mos arrijë në Pakistan” – tha në rrjetin X ministri i Burimeve Ujore i Indisë, Chandrakant Raghunath Paatil. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve rreth frikës në Pakistan nga një rrezik i tillë.

Dy zyrtarë qeveritarë indianë, të cilët refuzuan që të identifikoheshin për shkak të temës së ndjeshme, thanë se India brenda disa muajve do ta fillojë devijimin e ujit për fermat e veta duke përdorur kanale, ndërsa planifikon diga hidrocentralesh, por që të përfundojë ndërtimi i tyre mund të nevojiten pesë deri në shtatë vjet./Nacionale