Djali rekrutonte vajza për prostitucion, babait i sekuestrohet apartamenti e makinat

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u sekuestruan pasuritë e shtetasit A.Gj., një apartament dhe dy makina, si person i lidhur me shtetasin I.Gj, i cili është subjekt i hetimit pasuror në bazë të ligjit ‘Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar’.

Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit pasuror nr.81, viti 2020, mbi shtetasin I.Gj., i dënuar dhe arrestuar për veprën penale ‘Trafikim i personave të rritur’ parashikuar nga neni 110/a/2 i Kodit Penal, ka dyshime se pasuria e vënë prej tij ose familjarëve të tij nuk përputhet me të ardhurat e ligjshme.

Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë rekrutonin vajza për prostitucion në drejtim të Italisë dhe pas kryerjes së veprimeve hetimore, në vitin 2015, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, caktoi masën e sigurimit ‘Arrest në burg’.

Nga hetimet e shtrira tek personat e lidhur me të, rezultoi se i ati i tij, shtetasi A.Gj., me balancë negative në banka, nuk justifikon me të ardhurat blerjen e një apartamenti dhe dy makinave në pronësi të tij. Këto pasuri të paluajtshme, dyshohet se janë fituar nga personi i lidhur A.Gj., si rezultat i përfshirjes së djalit të tij të dënuar I.Gj. nga aktiviteti kriminal në ‘Trafikimin e personave të rritur”.

Për sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi sekuestrimin e pasurive në emër të shtetasit A.Gj si më poshtë:

Pasuri e paluajtshme, apartament nr. 3 me sip 117.78 m,2, Pallatet “SANDY” Sh.P.K, Tiranë;
Pasuri e luajtshme, automjet tip “Renault Scenic”; dhe
Pasuri e luajtshme, automjet tip “Lancia Musa”.