“Dënimi im është politik”, Le Pen: Nuk më eliminojnë dot, do ndjek çdo rrugë ligjore

Pas vendimit të gjykatës franceze që e dënoi për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian dhe e përjashtoi nga gara presidenciale e vitit 2027, ka ardhur edhe reagimi i lideres së ekstremit të djathtë Marine Lë Pen. Ajo e cilësoi vendimin politik.

“Gjyqtarja po thotë: ‘Unë do t’ju bëj menjëherë të pakualifikueshëm dhe po e bëj pikërisht për t’ju penguar të zgjidheni presidente’. Nëse ky nuk është një vendim politik, atëherë nuk e di se çfarë është. Nuk jam vetëm unë që eliminohem nga presidencialet, por janë miliona qytetarë francezë, vota e të cilëve sapo është eliminuar”, tha Le Pen.

Le Pen u shpreh se është e pafajshme ndërsa theksoi se do ta apelonte vendimin.

“Nuk do të lejoj të eliminohem në këtë mënyrë, do të ndjek çdo rruge ligjore që mundem”, tha Le Pen.

Kur u pyet se pse u largua nga gjykata para se të dëgjonte vendimin e gjyqtarit Le Pen u përgjigj duke thënë se nuk i duhej të qëndronte më shumë pasi e kuptoi se çfarë po ndodhte.