Chelsea do t’i largojë 23 lojtarë, pret të fitojë 500 milionë euro nga shitjet e tyre

Chelsea pritet të ketë një tjetër verë të ngarkuar me aktivitet në merkato, me deri në 23 lojtarë që mund të largohen nga “Stamford Bridge”.

Skuadra e Enzo Maresca aktualisht ndodhet në vendin e gjashtë në tabelën e Premier League dhe është vetëm një pikë prapa Manchester Cityt në garën për një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Elita angleze është shpërblyer me pesë vende në kompeticionin më të madh evropian për klube sezonin e ardhshëm, falë paraqitjeve të mira të skuadrave angleze në Evropë këtë sezon.

Chelsea është gjithashtu në garë për UEFA Conference League dhe shihet si favorit i madh për ta fituar këtë trofe.

Skuadra e Marescës do të marrë pjesë edhe në Kupën e Botës për Klube të FIFA-s këtë verë, së bashku me Manchester Cityn, që do të zhvillohet pas përfundimit të sezonit në Premier League.

Që nga ardhja e Todd Boehly si kryetar i Chelseat, pas marrjes së klubit nga Roman Abramovich në vitin 2022 nga konsorciumi “BlueCo”, skuadra e “Bluve të Londrës” është bërë e njohur për lëvizjet e shumta në merkato, me një qarkullim të madh të lojtarëve.

Vetëm verën e kaluar, 11 lojtarë u transferuan te Chelsea, qoftë përfundimisht apo në formë huazimi, ndërsa 25 anëtarë të skuadrës së parë u larguan.

Sipas raporteve të reja, deri në 23 lojtarë mund të largohen nga klubi këtë verë, me qëllimin për të mbledhur rreth 500 milionë euro (427 milionë £).

Disa emra të mëdhenj mund të jenë në mesin e atyre që do largohen, sipas një liste nga “Fichajes”, përfshirë: Wesley Fofana, Mykhailo Mudryk e Jadon Sancho.

Chelsea ka një opsion për të blerë Sancho nga Manchester United këtë verë dhe ta bëjë huazimin e tij transferim të përhershëm, por mund edhe të zgjedhë të mos e aktivizojë atë, duke i paguar Unitedit një shumë prej 5 milionë £.

Fofana dhe Mudryk përmenden si lojtarë me të ardhme të pasigurt në “Stamford Bridge”, së bashku me: Christopher Nkunku, Kiernan Dewsbury-Hall (i ardhur vetëm verën e kaluar nga Leicester City), Robert Sanchez, Noni Madueke, Marc Guiu (edhe ky i ardhur nga Barcelona verën e kaluar), David Datro Fofana dhe Reece James.

Raportimi gjithashtu përmend lojtarë që janë aktualisht të huazuar në klube të tjera, të cilët mund të shiten për të rritur fondet për transferime:

Ben Chilwell, Axel Disasi, Andrey Santos, Joao Felix, Lesley Ugochukwu, Carney Chukwuemeka, Raheem Sterling, Armando Broja, Kepa Arrizabalaga, Mike Penders, Deivid Washington, Caleb Wiley, Alfie Gilchrist dhe Bashir Humphreys.

Sipas raportimit, Chelsea shpreson që me këto shitje të grumbullojë rreth 500 milionë euro, të cilat do të përdoren për përforcime të reja dhe një tjetër “ristrukturim” të madh të skuadrës për sezonin e ardhshëm.