BESA, LD dhe Alternativa distancohen nga Taravari

Deklaratat e Arben Taravarit nga VLEN se ky koalicion në Qeveri nuk po funksionon si duhet, ka prekur partnerët e tjerë nga po i njejti koalicion.

Taravari tha se ka kanale kominikimi me BDI-në dhe se poashtu kanë komunikim me BDI-në dhe partitë e tjera të VLEN-it.

Për këto deklarata ka pasur dhe kundër reagime.

Kanë reaguar nga Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, duke thënë se nuk kanë komunikuar me BDI-në.

Lëvizja Demokratike (LD) hedh poshtë çdo spekulim se ka komunikim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.
LD nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me një parti të zhytur në korrupsion, ku figura kryesore të saj janë të vendosura në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për kapjen e gjyqësorit dhe abuzimin me pushtetin.
Lëvizja Demokratike distancohet qartë dhe pa ekuivoke nga çdo strukturë politike që e ka shndërruar korrupsionin në mënyrë qeverisjeje dhe shtetin në mjet për pasurim personal.
LD mbetet e palëkundur në vizionin e saj për një politikë të pastër, të pakorruptuar dhe në shërbim të qytetarëve.
Poashtu reaguan dhe nga Lëvizja Besa.
Pa dashur ta paragjykojmë kuptimin e saktë të deklaratës së z. Taravari se – përveç atij – edhe liderët e tjerë të VLEN-it kanë komunikim me Ali Ahmetin, për shkak të korrektësisë me anëtarësinë e Lëvizjes BESA, të organeve partiake dhe mbështetësve tanë, më duhet të sqarojmë se as kryetari Bilall Kasami dhe asnjë eksponent tjetër i Lëvizjes BESA nuk ka komunikim me Bashkimin Demokratik për Integrim.
Qytetarët dhe mbështetësit e Lëvizjes BESA e dijnë mirë, se që nga themelimi dhe deri më tani, asnjëherë nuk kemi qenë në komunikim me BDI-në, kur ajo është dashur të shpëtohet nga bëmat e saj, e as këtë herë nuk ka asnjë arsye për të pasur madje edhe kanal komunikimi me të. Nëse do të kishte, do të ishte i hapur dhe para qytetatëve.
Ali Ahmeti është fajtori i përveçëm i gjendjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe sa më shpejt që pensionohet politikisht, aq më mirë për të dhe për shqiptarët.
Ndërsa VLEN-i ka kuptim vetëm aq sa e ruan distancën politike me BDI-në.
Reagime pati edhe nga Alternativa, e njejta përgjigje se nuk kanë komunikim me BDI-në e Ali Ahmetit.
Me qëllim të sqarimit për opinionin, por edhe për të qenë korrekt me organet e strukturat partiake, si edhe me anëtarësinë dhe mbështetësit, deklarojmë publikisht se AlternAtivA nuk ka asnjë komunikim në asnjë nivel dhe në asnjë kanal me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e saj.
Përtej kësaj, AlternAtivA gjykon se nuk ka asnjë arsye e nevojë që të komunikohet me një parti të regjistruar në listën e zezë amerikane të personave nongrata, e cila te shqiptarët do të mbahet mend vetëm për korrupsion, krim dhe abuzim me pushtetin.
Duke mbetur konsistentë në qëndrimin se VLEN-i është koalicion i ndërtuar për afirmimin e vlerave të moralit të ri politik dhe për vendosjen e standardeve të reja politike, AlternAtivA vlerëson se adresa e mbrojtjes së interesave shqiptare është duke komunikuar me popullin dhe duke i mbrojtur interesat e tyre në mënyrë të përpiktë dhe dinjitoze.
Kujtojmë se sonte në emisionin 360 gradë, Taravari foli mbi ngjarjet aktuale në koalicionin shqiptar në qeveri, e që siç tha ai, duket se kanë mosmarrëveshje dhe funksionim të ngadaltë. /tvklan.mk