Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e krijimit të një vize pune 12-mujore për të rinjtë e moshës 18 deri në 30 vjeç, si pjesë e një përpjekjeje për të ‘rifreskuar’ marrëdhëniet me Britaninë e Madhe, thuajse një dekadë pas referendumit që çoi në largimin e saj nga BE.
Sipas ‘The Guardian’, BE-ja është e gatshme të bëjë disa lëshime të rëndësishme në negociatat me Britaninë, me qëllim që të rinjtë evropianë dhe britanikë të kenë mundësinë të jetojnë dhe punojnë përkohësisht në të dy anët e kanalit La Manche.
Propozimi, i cili parashikon një vizë pune për një periudhë 12-mujore, u hodh fillimisht në prill 2024, por në atë kohë u refuzua si nga qeveria konservatore britanike, ashtu edhe nga opozita laburiste.
Megjithatë, ideja po rikthehet në tryezën e diskutimeve dhe mbështetet nga disa vende kyçe të BE-së, përfshirë Francën, Gjermaninë, Spanjën dhe Italinë.
Në thelb, programi synon të lejojë të rinjtë të fitojnë përvojë jetese dhe pune në një vend tjetër evropian, pa u konsideruar si pjesë e migrimit të zakonshëm.
Kjo e bën më të pranueshme politikisht për autoritetet britanike, që pas Brexit kanë zbatuar rregulla më të rrepta për lëvizjen e qytetarëve të huaj.