Bayerni vendosë për Neuerin, derisa konfirmohet ekipi që do të jetë i gatshëm kundër Interit

Bayern Munich ka sqaruar situatën në lidhje me portierin Manuel Neuer përpara ndeshjes së kthimit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve kundër Interit në “San Siro”.

Disponueshmëria e Neuer për këtë përballje, e planifikuar për nesër, kishte qenë në dyshim për trajnerin Vincent Kompany, pasi portieri veteran po përpiqej të rikuperohej nga një dëmtim muskulor.

Edhe pse raportet e së martës në mëngjes sugjeronin se ai mund të ishte i gatshëm për ndeshjen, pavarësisht se nuk kishte garanci se do të startonte, emri i tij në fund mungoi nga lista e skuadrës që u publikua më vonë gjatë ditës nga klubi gjerman.

Siç është konfirmuar nga Bayern Munich përmes kanaleve zyrtare në rrjetet sociale, Kompany ka përzgjedhur një skuadër me 22 lojtarë për sfidën e së mërkurës, por portieri 39-vjeçar nuk është përfshirë.

Klubi më pas shpjegoi se Neuer “mungon për shkak dëmtimi, por do të udhëtojë në Milano për të mbështetur skuadrën”.

Në një zhvillim më pozitiv për Bayernin, Kompany ka mundur të rikthejë Kingsley Coman dhe Aleksandar Pavlović, të cilët munguan në ndeshjen e parë për shkak dëmtimi.