Avokati shqiptar flet për dështimin e seancave të Kuvendit të Kosovës – zbulon ‘zgjidhjen’ për tejkalimin e saj!
“Kjo është një krizë bilaterale, i cila zgjidhet vetëm me një proces të ri zgjedhor”
Deputetët dështuan edhe në përpjekjen e pestë ta konstituonin Kuvendin e Kosovës.
Kandidatja e Lëvizjës Vetëvendosje, partisë fituese të zgjedhjeve, Albulena Haxhiu, dështoi të zgjidhej kryetare.
Opozita e kundërshtoi përsëri emërimin e Haxhiut.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se seanca e ndërprerë do të vazhdojë të premten në orën 10:00.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar, Spartak Ngjela.
Ai thotë se Kosova gjendet në një krizë bilaterale e cila zgjidhet me zgjedhje të reja.
“Nuk po kuptohet saktë se çfarë po ndodh. Kjo është një krizë bilaterale, i cila zgjidhet vetëm me një proces të ri zgjedhor.
Duhet domosdoshmërisht të vendosen zgjedhjet e reja”, u shpreh ai.
Më tej, avokati thotë që kjo krizë ka ardhur nga frika që liderë po e humbin pushtetin.
“Demokracia që hyn në një krizë si kjo që po shfaqet në Kosovë, si rregull ndodh kur liderët kanë frikë nga zgjedhjet e reja të përgjithshme.
Kjo po ndodh edhe atje.
Por duhet të kuptohemi: një krizë politike që vjen nga ky fenomen i frikës për të mos humbur pushtetin në menyrë demokratike, ka brenda saj një intencion antikombëtar, sepse, si frikë, vjen ngaqë kata liderë janë kundër lirisë dhe demokracisë”, përfundoi avokati Ngjela për “Bota sot”.
Kujtojmë që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila nisi më 15 prill, është ndërprerë pesë herë.
Sipas Rregullores së Kuvendit, ajo mund të vazhdojë jo më larg se 48 orë nga ndërprerja, pa kufizime se sa vazhdime mund t’i ketë.
Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të tij, procesi i konstituimit të këtij institucioni ligjvënës nuk konsiderohet i përmbyllur.