Arrestohet një ministre në Bosnje – punësoi motrën në mënyrë të paligjshme

Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Sarajevës kanë arrestuar ministren për Punë, Politikë Sociale, Persona të Zhvendosur dhe Refugjatë të këtij kantoni, Enda Paviq Peçenkoviq (SDP).

Ajo aktualisht ndodhet në procedurë hetimore në MPB-në e Kantonit të Sarajevës, pas së cilës do t’i dorëzohet në kompetencë të mëtejshme Prokurorisë së Kantonit të Sarajevës.

Sipas njoftimit nga Prokuroria, ajo dyshohet për punësim të paligjshëm dhe ky është vazhdim i aksionit “Zarf”, në kuadër të të cilit u arrestua së fundmi edhe ministrja për Shkencë, Arsim të Lartë dhe Rini, Adna Mesihoviq (ZNG).

Më herët është kryer kontroll në Ministrinë për Shkencë, Arsim të Lartë dhe Rini të Kantonit të Sarajevës.

Prokuroria e akuzon ministren se në bashkëpunim me Adna Mesihoviqin dhe me ndërmjetësimin e Ibrahim Obhogjashit, ajo favorizoi motrën e saj, Berina Tabak që të punësohet në Ministrinë e Punës.

Sipas asaj që mëson portali Klix.ba, bëhet fjalë për një konkurs të brendshëm përmes të cilit Tabak është transferuar në mënyrë të paligjshme nga një pozicion në Ministrinë e Shkencës, Arsimit të Lartë dhe Rinisë – të cilën e drejtonte Adna Mesihoviq – në Ministrinë e Punës. Ky transferim është realizuar përmes ndryshimeve të paligjshme të Rregullores.

Ndryshe, Bojan Boshnjak, Adna Mesihoviq dhe Enda Paviq-Peçenkoviq. Këta janë tre nga gjithsej 12 ministrat e Qeverisë së Kantonit të Sarajevës që janë arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprave penale gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.