Arben Fetai i përgjigjet Ali Ahmetit: Unë s’jam argat i askujt

Zv.kryeministri Arben Fetai i është përgjigjur kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit, pasi ky i fundit ka vazhduar t’i quaj “argat”përfaqësuesit shqiptarë në qeveri.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e Fetait.

Ali Ahmeti paska thënë se Arben Taravari e ka kuptuar se shqiptarët në qeveri janë bërë argatë që kanë poshtëruar dhe devalvuar popullin e tyre. Sa hipokrizi! Sa pafytyrësi!

Ali Ahmeti, unë s’jam argat i askujt. Këtë epitet mbaje për vete, ti që u ke shërbyer me devotshmëri pushteteve antishqiptare dhe ke legjitimuar çdo krim ndaj shqiptarëve.

Ku ishe ti kur ministrat e tu arrestonin nëna e bijë shqiptarë të akuzuar rrejshëm për terrorizëm islamist? A fole ndonjëherë kur vriteshin atdhetarë shqiptarë nga strukturat e shtetit? A e lëvize gishtin kur turma huliganësh rrihnin shqiptarë nëpër rrugët e qyteteve tona? Ku ishte dinjiteti yt atëherë?

Je ti ai patrioti i madh që e përqafoi Shkupin 2014 si projekt kombëtar dhe luanin e VMRO-së si simbol ilir. Je ti ai që i lejonte institucionet të financuara me taksat tona të fyenin shqiptarët në baza kombëtare. Je ti që i ke mbyllur sytë para manipulimit të regjistrimin të popullsisë në dëm të shqiptarëve. Je ti përgjegjësi kryesor për zbrazjen e vendit nga qindra mijëra shqiptarë, të detyruar të braktisin vatrën për kafshatë të gojës. Të njohim, Ali Ahmeti.

Asnjëherë në historinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk ka patur më shumë poshtërim, më shumë tradhti, më shumë mjerim sesa gjatë sundimit tënd të errët. I vetmi “sukses” i joti ka qenë pasurimi marramendës i rrethit tënd të hajdutëve, ndërsa populli është lënë të vuajë.

Shqiptarët nuk harrojnë. Shqiptarët nuk falin. Dhe nuk janë aq budallenj sa i do ti. Të gjithë e dinë: halli yt s’është shqiptaria. Halli yt është llogaria — dhe ajo po të troket në derë.