Zjarrfikësit: Materiale rezistues ndaj zjarrit të përdoren në të gjitha objektet

Gjatë ndërtimit të objekteve gastronomike duhet të përdoren materiale rezistente ndaj zjarrit të cilat mund të përballojnë nxehtësinë e lartë për një kohë më të gjatë, në mënyrë që vizitorët të mund të largohen nga objekti në rast zjarri, bëjnë thirrje nga Njësia Territoriale kundër Zjarrit në Ohër. Por, përvojat e tyre tregojnë se, shumë shpesh, përdoren materialet që ndizen lehtë për të shmangur shpenzime më të larta. Zjarri në diskotekën në Koçanë, hapi shumë dilema.

„Objektet gastronomike digjen shpejt sepse para së gjithash, janë ndërtuar nga materiale lehtësisht të djegshme. Vetë fakti që përdoren materiale të tilla, do të thotë se janë shumë më të lira. Siç pamë, improvizojnë me sfungjer për të bërë izolim, vërtet janë të pasigurta dhe digjen shpejt. Konstruksionet e çative janë problem dhe nëse përfshihet konstruksioni i çatisë, shumë shpejt do të përfshihet nga zjarri i gjithë objekti dhe është shumë e vështirë të parandalohet zjarri“, tha Kosta Kuzmanoski – Zëvendëskomandant i NJTKZ Ohër.

Megjithëse duhet të ketë ekip zjarrfikës në çdo ngjarje të madhe, për hir të sigurisë më të madhe të vizitorëve, Kuzmanoski shprehet se vetëm nga 20% e ngjarjeve marrin kërkesa të tilla. Ata shprehen se në çdo objekt duhet të ketë aparate zjarrfikëse dhe një person që di t’i përdorë ato, ndërsa atje ku ka një rrjet hidrant, i njëjti duhet të jetë funksional. Ata u bëjnë thirrje organeve kompetente të kryejnë kontroll të hollësishëm të të gjitha objekteve përgjatë Liqenit të Ohrit. Sezoni turistik po vjen, kur mijëra turistë do të jenë të pranishëm në Ohër.

„Duhet që shërbimet kompetente të dalin në terren dhe t’i kontrollojnë të gjitha ato objekte– a kanë hyrje, a ka aparate kundër zjarrit, a ka hidrantë, a janë funksionalë – që vizitorët të jenë të sigurt. Derisa të bëhet kjo, mendoj se nuk do të duhej të funksiononin objektet“, shtoi Kosta Kuzmanoski – Zëvendëskomandant i NJTKZ Ohër.

Nga Komuna e Strugës paralajmërojnë mbikëqyrjen inspektuese e të gjitha objekteve gastronomike dhe turistike në qytet.

“Kontrollet do të bëhen në të gjitha lokalet në territorin e Komunës së Strugës, e për të gjitha parregullsitë e konstatuara, inspektorët do të lëshojnë aktvendim për të mënjanuar mangësitë brenda afatit në përputhje me ligjin, si dhe gjoba për kundërvajtje. Nëse konstatohen parregullsi, ndërsa inspektori konstaton se është jashtë kompetencave të tij, do të përpilohen procesverbale dhe do t’i dorëzohen për procedurë të mëtejshme inspektorit kompetent”, thonë nga Komuna e Strugës.

Në mesin e dokumenteve që secili pronar duhet t’i posedojë, përveç lejes për ushtrimin e veprimtarisë, janë edhe leja dhe elaborati për instalimin e pajisjeve urbane, fletëpronësia, elaborat për mbrojtjen e mjedisit jetësor, elaborat për mbrojtjen nga zjarri dhe dëshmi se i njëjti është zbatuar në vendin e ngjarjes. Edhe banorët e Ohrit përmes rrjeteve sociale po i bëjnë thirrje kryetarit të Komunës Kiril Pecakov, që menjëherë të fillojë kontrollin e të gjitha objekteve./Alsat.mk