Zhvillimet në Ukrainë/ Rusia lëshon qindra dronë në Ukrainë

Disa persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse në të gjithë Ukrainën. Forcat Ajrore të Ukrainës rrëzuan 100 nga 179 dronë rusë. Në Zaporizhzhia, një familje prej tre anëtarësh u vra gjatë bombardimeve.

Guvernatori, Ivan Fedorov bëri të ditur se qyteti ishte goditur më shumë se 10 herë me dron gjatë natës. Ndërkaq mbetjet e dronëve ranë në çatinë e një ndërtese në qendrën historike të Kievit, por nuk raportohet për viktima në kryeqytet.

Një raport i ri nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka treguar së fundmi se Rusia shkaktoi ‘vuajtje të paimagjinueshme’ mijëra fëmijëve ukrainas dhe shkeli të drejtat e tyre që nga fillimi i pushtimit të saj.

“Të drejtat e tyre janë minuar në çdo aspekt të jetës, duke lënë plagë të thella, fizike dhe psikologjike,” tha zëdhënësja e OHCHR Liz Throssell në një konferencë në Gjenevë.

Transferimi i të paktën 200 fëmijëve në Rusi midis shkurtit 2022 dhe dhjetorit 2024 mund të përbëjë krime lufte, thuhet në raport. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Ukraina sa i përket rrëmbimit të fëmijëve.