Vulin: Pres radikalizimin e protestave në ditët në vijim, liderët kontrollohen nga Perëndimi

Protestat në Serbi mund të bëhen më radikale në ditët në vijim, tha zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin për agjencinë ruse të lajmeve pro regjimit TASS.

“Së pari dua të theksoj se shumica e njerëzve që protestojnë janë patriotë që e duan Serbinë. Por ata që i udhëheqin janë nën kontrollin e Perëndimit. Pres që veprimet të radikalizohen në ditët në vijim”, thotë Vulin.

“Situata do të jetë plotësisht nën kontroll pas formimit të qeverisë së re”
Ai tha gjithashtu se forcat e sigurisë së Serbisë janë “mjaft të forta për të mbrojtur vendin”. “Pres gjithashtu që pas formimit të qeverisë së re situata të vihet plotësisht nën kontroll”, shton ai.

Më herët, Vulin tha për TASS se “komplotistët amerikanë kundër Donald Trump” dhe disa shërbime të inteligjencës evropiane ishin pas protestave në Serbi. Ai shpjegoi se këto forca duan të sjellin në pushtet politikanë që do të “zbatojnë gjithçka që kërkon Perëndimi, përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.

Për kujtesë, protestat kanë vazhduar në Serbi për më shumë se katër muaj pasi një strukturë u shemb në një stacion hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, duke vrarë 16 persona.

Protesta u iniciua nga studentët dhe u përhap në qindra qytete dhe qyteza në të gjithë vendin. Qytetarët kërkojnë llogari për tragjedinë, hetim transparent dhe largimin e përgjegjësve, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe neglizhencë të standardeve të sigurisë. Pavarësisht rënies së qeverisë dhe dorëheqjeve të disa zyrtarëve, mes tyre edhe ministrit të Ndërtimit, protestat vijojnë dhe autoritetet kanë paralajmëruar hetim dhe ndjekje penale të përgjegjësve.