Vuçiç: Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nisur një “garë armësh” në rajon

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Shqipëria dhe Kroacia po nxisin një “garë armatimi” në rajon, pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në Mbrojtje me Kosovën. Marrëveshja trepalëshe, e nënshkruar në Tiranë më 18 mars, ka shkaktuar reagime të ashpra në Beograd.

“Është një situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, pavarësisht fuqisë së tij,” tha Vuçiç më 19 mars në Bruksel, pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Presidenti serb e cilësoi memorandumit si një “shkelje të marrëveshjes nënrajonale për kontrollin e armëve”, duke shprehur dyshime se NATO ishte e informuar paraprakisht për këtë zhvillim. “Këtë çështje e ngrita në takim me zotin Rutte, por nuk mund të them se çfarë ka thënë ai për këtë,” shtoi Vuçiç.

Bashkëpunimi trepalësh dhe reagimi i NATO-s

Deklarata e nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës synon forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe rreziqet që mund të minojnë stabilitetin rajonal. Sipas Radio Televizionit Kroat, marrëveshja përfshin:

Promovimin e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes
Forcimin e ndërveprimit përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta
Kundërvënien ndaj kërcënimeve hibride
Mbështetjen për integrimin euro-atlantik
Dokumenti gjithashtu lë hapësirë për vende të tjera që mund të dëshirojnë t’i bashkohen kësaj nisme.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi pas takimit me Vuçiçin se “ruajtja e sigurisë rajonale mbetet prioritet”, duke theksuar nevojën për forcimin e marrëdhënieve mes NATO-s dhe Serbisë.

Serbia vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë pjesë të territorit të saj, pavarësisht përfshirjes në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje që, mes të tjerash, i kërkon Beogradit të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Megjithatë, tensionet mes dy vendeve kanë qenë të larta, me Prishtinën që akuzon Serbinë për mbështetjen e grupeve të armatosura në veri të Kosovës.

Në shtator të vitit 2023, një sulm i armatosur në Banjskë të Zveçanit rezultoi në vrasjen e një polici kosovar, për të cilin Kosova fajësoi drejtpërdrejt Beogradin. Po ashtu, nëntorin e vitit 2024, një shpërthim në një kanal të rëndësishëm të ujit në veri të Kosovës rriti edhe më tej shqetësimet për destabilizimin e rajonit.

Si do të ndikojë kjo marrëveshje në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe sigurinë rajonale mbetet për t’u parë në vijim.