Vedati nga Kumanova nuk arriti ta gëzonte shtëpinë e re që e ndërtoi duke punuar në Gjermani

32 vjeçari Vedat Ademi, i cili ditë më parë ndërroi jetë në Spitalin e Kumanovës, para gjashtë vitesh kishte shkuar në Gjermani për një jetë më të mirë.

Familjari i tij, Sunaji për gazetën LAJM, ka rrëfyer sot se bashkë me Vedatin kishin shkuar në Gjermani për të punuar me qëllim që të ndërtonin nga një shtëpi në Kumanovë.

Vedati shtëpinë ka arritur ta ndërtojë por jo edhe ta gëzojë.

“Me Vedatin kemi qenë në Gjermani 6 vite bashkë ku kemi jetuar dhe punuar. Sot ndodhemi pranë shtëpisë së Vedatit, të cilën e kishte ndërtuar për të jetuar këtu por shkaku i një neglizhence mjekësore në Spitalin e Kumanovës, ai ndërroi jetë dhe nuk arriti ta gëzojë shtëpinë. Kjo për ne është një tragjedi e madhe”, tha Sunaj Ademi, familjar i Vedatit.

Suat Ademi, vëllai i të ndjerit, Vedat Ademit, thotë se do të vazhdojë përpjekjet për të zbardhur të vërtetën për vdekjen e dyshimtë të vëllait të tij.

Ai thotë se vëllai i tij vdiq pasi i është dhënë ilaç ndaj të cilit ishte alergjik dhe për këtë fajëson mjekun i cili ishte kujdestar.

“Të pamën e kemi shtyrë për dy ditë për shkak të numrit të madh të njerëzve të vijnë për ngushëllime. Pasi të mbyllim të pamen do të vazhdojmë përpjekjet për të zbardhur rastin dhe për ta zbuluar fajtorin e vertetë. Mua ende më duket si ëndërr. Porosis institucionet që ta zbardhin rastin, mos të përsëritet rasti i njejtë. Të merr përgjegjësinë kush ka qenë përgjegjës për këtë rast me qëllim që të mos ndodhin të tilla raste edhe në të ardhmen”, u shpreh Suat Ademi.

I riu Vedat Ademi ndërroi jetë më 17 mars në spitalin e Kumanovës ku ishte shtruar pas dhimbjeve në stomak.