Vazhdojnë protestat në Turqi, qindra mijëra njerëz mblidhen në Stamboll

Qindra mijëra njerëz kanë protestuar të shtunën në Stamboll kundër arrestimit të kryetarit të këtij qyteti, Ekrem Imamoglu, njëkohësisht rivalit kryesor politik të presidentit Recep Tayyip Erdogan, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.

Një letër nga Imamoglu u lexua në tubim, duke nxitur duartrokitje prej turmës.

“Unë s’kam frikë, ju jeni pas meje dhe në anën time. Unë s’kam frikë sepse kombi është i bashkuar. Kombi është i bashkuar kundër shtypësve”, thuhej në letër.

Protestat që kanë nisur prej disa ditësh kanë qenë kryesisht paqësore, ndonëse afërsisht 2,000 persona janë vënë nën pranga nga autoritetet.

Partitë opozitare, grupet e të drejtave të njeriut dhe disa vende perëndimore e kanë vlerësuar arrestimin e Imamolgut si përpjekje të motivuar politikisht me qëllimin për të eliminuar një kandidat serioz të Erdoganit për postin e presidentit.

Qeveria ka mohuar çdo pretendim për ndikim në gjyqësor dhe ka insistuar se gjykatat janë të pavarura.