Sot, në fshatin Mleqan të Komunës së Malishevës, është mbajtur ceremonia e varrimit të Sabedin Kadri Kryeziut (15.06.1985-04.04.1999), i cili u gjet dhe identifikua pas 26 vitesh.
Ai ishte rrëmbyer me forcë nga forcat serbe në prill të vitit 1999, gjatë Masakrës së Kralanit.
Para varrimit, në shkollën e fshatit u mbajtën homazhe në nderim të tij.
Sabedin Kryeziu është njëri nga tre personat e zhdukur nga Komuna e Malishevës, të cilët u identifikuan përmes analizave të ADN-së, ndërsa vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe dhjetëra qytetarët të tjerë të Malishevës.
Në homazhe dhe në ceremoninë e varrimit morën pjesë një numër i madh qytetarësh, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, përfshirë Kryetarin e Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nënkryetarin Vesel Krasniqi, zyrtarë të shoqatës “Kujtesa” për të pagjeturit, klerikë fetarë dhe të tjerë.
‘‘Të vrarët dhe të zhdukurit gjatë luftës janë dëshmia më e dhimbshme e gjenocidit dhe dhunës së ushtruar nga shteti serb ndaj popullit të Kosovës.
Ceremonitë e varrimit për tre martirët nga Komuna e Malishevës, mbahen nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.