Trump reagon për daljen e mesazheve sekrete të zyrtarëve të sigurisë kombëtare

Donald Trump ka reaguar në lidhje me mesazhet e shkëmbyera në aplikacionin e koduar “Signal” midis zyrtarëve të lartë të sigurisë kombëtare të SHBA-së, ku jepeshin detaje të operacioneve ushtarake kundër grupit Huthi në Jemen.

Trump u shpreh se ka “besim të plotë” në ekipin e sigurisë kombëtare, duke minimizuar dëmet e rrjedhjes së informacioneve sekrete në media.

Ai e cilësoi këtë një “gabim” nga ana e stafit të këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz dhe theksoi se rrjedhja e të dhënave “nuk kishte asnjë ndikim” në operacionin ushtarak.

“Michael Waltz e ka marrë tashmë një mësim,” tha Trump, duke shtuar se “Këshilltari i Sigurisë është një njeri i mirë”.

Në mënyrë të pazakontë, pjesë e grupit të bisedave ka qenë edhe kryeredaktori i The Atlantic, Jeffrey Goldberg. Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se mesazhet janë autentike dhe ka nisur një hetim për të zbuluar si ndodhi që një gazetar u përfshi në diskutimet konfidenciale.

Mesazhet përmbanin informacione të detajuara mbi objektivat e sulmeve, armët që do të përdorte ushtria amerikane dhe komandën e operacioneve. Pjesë e grupit në Signal ishin figura të rëndësishme të administratës, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, Nënpresidentin JD Vance, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Drejtoren e Inteligjencës Kombëtare Tulsi Gabbard, si dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Mike Waltz.

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth sulmoi Goldbergun, duke e quajtur “mashtrues” dhe një “të ashtuquajtur gazetar”, në referencë ndaj qëndrimeve kritike të The Atlantic ndaj Trumpit në të kaluarën. Ai nuk dha detaje mbi arsyen e përdorimit të aplikacionit Signal për biseda të ndjeshme ose mbi mënyrën se si Goldberg përfundoi në grupin e mesazheve.

“Nuk ka pasur shkëmbim mesazhesh për plane lufte. Kaq kam për të thënë,” u shpreh Hegseth për gazetarët.

Signal është një aplikacion i njohur për sigurinë dhe privatësinë e mesazheve, shpesh i përdorur nga zyrtarët qeveritarë për komunikime organizative. Megjithatë, ai nuk është një platformë e klasifikuar dhe mund të jetë i cenueshëm nga sulmet kibernetike.

Shtëpia e Bardhë ka nisur një hetim për këtë incident, ndërsa ekspertët e sigurisë paralajmërojnë për rrezikun e përdorimit të aplikacioneve të jashtme për çështje sensitive të sigurisë kombëtare në SHBA.