Trump ndërpret takimin, komplimenton JD Vance për çorapet

Donald Trump po përpiqej të ishte i përqendruar gjatë takimit në Zyrën Ovale me Kryeministrin irlandez Micheal Martin. Ishin pikërisht çorapet e zv.presidentit amerikan JD Vance që hutuan kreun e Shtëpisë së Bardhë i cili e komplimentoi për zgjedhjen e veçantë.

“Më pëlqejnë shumë këto çorape. Po përpiqem të qëndroj i përqendruar, por jam shumë i impresionuar me çorapet e zv.presidentit”, u shpreh me shaka 78-vjeçari në këtë video e cila është bërë virale në rrjetet sociale.

Më vonë, zv.presidenti komentoi në rrjetet e tij sociale duke thënë. “E dija që ai do të komentonte për këto çorape”, duke shpërndarë edhe videon.

Vance kishte veshur çorape me tërfilin me tre fletë për nder të vizitës së kryeministrit. Është simbol i ditës së Shën Patrikut, festa e irlandezëve, që e ka marrë emrin nga shenjtori me të njëjtin emër.

Për irlandezët kjo është një festë që e ka fillimin rreth vitit 461, kur shenjtori Shën Patrik besohet se çoi fenë e krishterë në Irlandë.