Trump ia ndalon Ukrainës ndihmat ushtarake

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë pezulluar ndihmat ushtarake për Ukrainën, ka njoftuar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke bllokuar miliarda dërgesa, raporton BBC.

Vendimi përfshin dërgesa të municioneve, automjeteve dhe pajisjeve të tjera, duke përfshirë edhe dërgesat që ishin dhënë në mandatin e Joe Bidenit si president.

Ky vendim vjen pas tensioneve të krijuara në Zyrën Ovale të premten (28 shkurt) mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Një zyrtar amerikan ka deklaruar për Fox News se ndihmat janë pezulluar përkohësisht.

“Ne po e ndalojmë dhe shqyrtojmë ndihmën tonë, për t’u siguruar se ajo i kontribuon zgjidhjes”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushte anonimiteti.

“Presidenti ka qenë i qartë se është i përqendruar në paqe. Ne kemi nevojë që partnerët tanë të përkushtohen ndaj këtij qëllimi”, tha zyrtari, sipas AFP-së.

Bloomberg dhe Fox News raportojnë se pauza do të zgjasë derisa Trump të përcaktojë se udhëheqësit e vendit janë të përkushtuar – me besim të mirë – ndaj paqes.

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, SHBA-ja ka siguruar pothuajse gjysmën e të gjitha shpenzimeve ushtarake në Ukrainë.