Banorët e Groenlandës janë duke votuar këtë të martë në një proces zgjedhor që mund të ketë ndikim të rëndësishëm për të ardhmen e ishullit. Interesi i përsëritur i presidentit amerikan Donald Trump për të blerë Groenlandën ka nxjerrë ishullin në qendër të vëmendjes globale dhe ka provokuar një debat të gjerë mbi marrëdhëniet e ardhshme të Groenlandës me Kopenhagenin.
Nauja Bianco, një ekspertë e politikave danezo-groenlandeze për Arktikun, theksoi për BBC se Groenlanda nuk ka pasur asnjëherë më parë një vëmendjeje kaq të madhe.
Aktualisht, Groenlanda është nën kontrollin e Danimarkës dhe menaxhon punët e saj të brendshme, ndërsa çështjet e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes janë përgjegjësi e Kopenhagenit. Megjithatë, pesë nga gjashtë partitë politike të cilat po konkurrojnë për vota, favorizojnë pavarësinë e ishullit, me ndryshimin e vetëm në sa shpejt do të ndodhë ky proces.
Votimi zhvillohet në 72 qendra votimi dhe pritet të përfundojë në orën 20:00 me orën lokale. Debati mbi pavarësinë nga Danimarka është bërë më i theksuar, sidomos pas interesit të Trump për blerjen e Groenlandës, një ide e hedhur për herë të parë nga ai gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2019 dhe që ai e ka ripërsëritur gjatë vitit 2021. Ai e ka cilësuar Groenlandën si një vend strategjik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Interesimi i SHBA-së për Groenlandën ka nxitur thirrjet e qytetarëve për pavarësinë e ishullit.
Për shumë vite, një pjesë e qytetarëve groenlandezë kanë kërkuar pavarësi nga Danimarka, ndërkohë që këto aspirata kanë qenë të ndihmuara nga shqetësimet mbi keqtrajtimin historik të popullsisë Inuit nga administrata daneze. Kryeministri i Groenlandës, Mute Egede, ka kërkuar një kalim të ngadaltë drejt autonomisë së plotë, duke theksuar se “qytetarët duhet të ndihen të sigurt”.
Nga ana tjetër, partia opozitare Naleraq kërkon që Groenlanda të fillojë menjëherë procedurat për shkëputjen nga Danimarka dhe të krijojë marrëdhënie më të ngushta mbrojtëse me Shtetet e Bashkuara. Kreu i partisë, Pele Broberg, ka shprehur idenë se Groenlanda mund të bëhet e pavarur për vetëm tre vjet.
Sondazhet tregojnë se rreth 80% e groenlandezëve janë të prirur për pavarësinë. Po ashtu, më shumë se 85% e groenlandezëve janë kundër bashkimit të ishullit me Shtetet e Bashkuara dhe shohin interesin e Trump si një kërcënim për identitetin e tyre.
Nëse kjo rrugë do të çojë në një pavarësi të plotë, është e nevojshme që Groenlanda të mbajë një referendum dhe të kalojë një periudhë të gjatë negociatash me Danimarkën, një proces që mund të zgjasë deri në 15 vjet. Politikanët groenlandezë besojnë se pavarësia e plotë mund të realizohet vetëm pas përfundimit të mandatit të dytë të Trump në vitin 2028.