Nevrij Ademi – TS
Në sheshin Iliria të Tetovës sot u mbajt një protestë kundër, siç u shprehën protestuesit, dështimit të sistemit të drejtësisë në vend.
Në marshin protestues morën pjesë nxënës, studentë, familjarë të viktimave dhe qytetarë të shumtë.
Me pankartën kryesore “Njerëzit digjen – shteti krihet”, protestuesit u ndalën para gjykatës dhe prokurorisë së Tetovës, ku shpalosën kërkesat e tyre për drejtësi lidhur me disa prej tragjedive më të mëdha në vend.
BLENDI HODAI – NISMA ZERO
“Kërkojmë që për spitalin modular, prokuroria për ndjekje të krimit dhe korrupsionit të nxjerr nga sirtari hetimin për shkaktarin e djegies së spitalit dhe të ngritët aktakuzë për fajtorët kryesorë në këtë rast. Kërkojmë krijimin e një ekipi të pavarur për të hetuar gjithë ata që kanë zvarritur lëndën qëllimisht, përfshirë dhe prokurorët publik. Për rastin në Koçan kërkojmë hetim të pavarur dhe përfshirje të ekspertëve të pavarur, për Llaskarcën kërkojmë që gjykata e Apelit të kthejë lëndën në rigjykim dhe të marrë parasysh ankesat e prokurorisë publike. Për Besa Trans kërkojmë që gjykata penale të shqiptojë dënime më të larta për të akuzuarit dhe të dalin para drejtësisë gjithë zyrtarët që lejuan aso kohe autobusin me certifikatë të rrejshme të kalojë kufirin mbi 20 herë.
Familjarët e viktimave të tragjedive si ajo e spitalit modular në Tetovë, aksidentit të autobusit të kompanisë “Besa Trans” dhe “Durmo Turs” gjithashtu kërkuan drejtësi, duke theksuar se institucionet po zvarrisin hetimet dhe po mbrojnë përgjegjësit.
BURIM ISLAMI – FAMILJAR I VIKTIMAVE
Për fat të keq nga tragjedia në tragjedi kemi vetëm një progres, numrin e viktimave që vazhdon e rritet, gjithçka tjetër është regres. I pandërruar kryeministër, nga hëna duket se ju po nxirrni mllefin dhe egon tuaj politike ndaj kundërshtarëve tuaj, për ta hequr fajin nga ju dhe t`ua hidhni atyre.
IBIN EMSHIU – FAMILJAR I VIKTIMAVE
Pyes publikisht Venko Filipçen, sa kushton jeta e vëllait dhe babait tim? Pyes publikisht Koço Angjushev, sa miliona kushtojnë 14 familjarët tanë që u dogjën të gjallë? Zotëri Mickoski, ju dolët dhe thatë që rastin do e nisni nga fillimi.
Organizatorët e protestës, nisma ZERO, paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa detajet për hapat e radhës do të bëhen të ditura përmes rrjeteve sociale.