Tragjedia e Koçanit/ Velçinovski: T’ia ngarkojmë fajin shqiptarit ka sukses, hetimi për “dështimin zinxhiror” do të kthehet vetëm në një procedurë për fshehjen zinxhirore të përgjegjësisë
Shkruan: Ivon Veliçkovski
Nëse operacioni “T’ia ngarkojmë fajin shqiptarit (Bekteshi)” ka sukses, atëherë hetimi për “dështimin zinxhiror” do të kthehet vetëm në një procedurë për fshehjen zinxhirore të përgjegjësisë.
Që nga momenti kur “Puls” u bë “diskotekë” në vitin 2012 deri në mëngjesin fatkeq të së dielës më 16 mars:
• në MPB (ministrat, përmes shefave të policisë dhe mbrojtjes nga zjarri, nën kompetencën e tyre),
• në komunë (dhe kryetarët e komunës tani të arrestuar),
• në Ministrinë e Transportit (ministrat, përmes shefave të njësisë rajonale të emëruar prej tyre),
• në UJPD dhe DPI (drejtorët e tyre, përmes udhëheqësve rajonalë të emëruar prej tyre)…
… të gjitha këto institucione (në nivel lokal apo kombëtar) kanë dështuar në kontrollin e zbatimit të standardeve të kërkuara për hapjen dhe funksionimin e “diskotekës”.
Nga qasja e mjeteve të zjarrfikësve në raste të tilla deri te numri i personave të pranishëm atë natë fatkeqe dhe prania e të miturve në objekt.
Nuk duhet ta heshtim as përgjegjësinë e entiteteve që ushtrojnë autorizime publike (projektuesit, sigurimi), por edhe të dhomave të licencimit që i kanë certifikuar ata për të ushtruar këto autorizime.
Për fillim, të ndalemi te çështja kryesore:
Për të marrë licencë, “Puls” duhej të merrte vlerësime dhe leje, pas të cilave në fund merrte licencën nga Ministria e Ekonomisë, bazuar në vlerësimet dhe lejet e organeve të administratës.
Dhe duhej të funksiononte në qarkullimin juridik dhe financiar nga viti 2012 e tutje – që do të thotë se duhej të kontrollohej dhe inspektohej.
“Para së gjithash, ky dokument është falsifikim, nuk ka licencë. Objekti nuk ka një dokument ligjor prej më shumë se një viti, ky dokument është falsifikim. A duhej që DPI të dilte pikërisht në këtë diskotekë, kjo nuk është e përcaktuar askund në ligj…” – do të deklarojë kryeministri në konferencën për shtyp pas tragjedisë në Koçan.
A duhet të konkludojmë nga kjo se njëri nga të arrestuarit, ish-ministri i Ekonomisë Bekteshi, po mbahet përgjegjës për një “licencë” që nuk ekziston? Dikush e ka përdorur firmën e tij pa autorizim? A nuk është logjike të hetohet se kush e ka lëshuar dokumentin fals?
Për ilustrim: keni një makinë që nuk e përdorni për një kohë dhe e keni të parkuar në garazh. Dikush ua ka vjedhur, ju nuk e dini për këtë, dhe hajduti ka shkaktuar një aksident me makinën tuaj. Kush është fajtor për aksidentin, pronari i makinës së vjedhur apo ai që e ka vjedhur dhe e ka drejtuar? Sipas meje – i dyti.
“Gilotina rregullatore” që nga viti 2008, kur u ndryshua Ligji për Hotelieri, ka krijuar kaos në lëshimin e licencave dhe kontrollin e kushteve minimale-teknike për funksionimin e klubeve të natës, diskotekave dhe kabareve. Ndoshta ishte një përpjekje e mirë në 2008, kur unë isha deputet, për të reduktuar procedurat, por tani po shohim që është keqpërdorur tërësisht…” – do të thotë ministri i transportit.
Pyetja konkrete është: me iniciativën e kujt, ose në interes të cilës grup financiare – atëherë qeveria dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë bërë ndryshime ligjore, përmes të cilave jeta e natës ka sjellë vdekjen e rreth 60 të rinjve?
Në interes të kujt u krijua një ligj që, përmes mosveprimit sipas standardeve, krijoi një sistem ku policia dhe inspektoratet në nivel lokal dhe shtetëror u shndërruan në sigurim me “distinktiv”, për rekete lokale, trafik droge dhe prostitucion?
Me këtë pyetje përballen edhe Toshkovski e Mickoski – edhe Kovaçevski e Zaev bashkë me Spasovskin – edhe Jankullovska dhe Gruevski si paraardhësit e tyre. Sepse këto ndryshime ligjore janë nga – 2008.
Mjafton për fillim, edhe pse mund të kthehemi deri te qeveria e Crvenkovskit, sepse shpërthimi i “të bardhës” në Koçan filloi pas skandalit të parë të reketit në “Hard Rock” në Shkup – dhe askush nuk u mor me të, as me transformimin e “Mafies së Frankfurtit” në katërkëndëshin Veles – Sveti Nikole – Koçan – përmes Vinicës, Pehçevës dhe Berovës e deri në – Strumicë në fund të viteve 1990 dhe fillim të 2000-ave.
“Bumi i ndërtimit” që varet nga lejet ndërtimore, për kujtesë, ka shkuar paralel me këtë lidhje mes institucioneve dhe nëntokës kriminale – takimet e të cilëve zhvilloheshin në vende “elitare” si “Puls”. Dhe dihet që ndërtimi është sektori ku “paratë e pista” pastrohen më lehtë. Së bashku me lojërat e fatit. Dy “industria” që po rriten në Maqedoninë e Veriut prej dy dekadash, nën qeveritë e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.
“Sipas ligjit, zyrtari nga organi… që e zhvillon procedurën (Ministria e Ekonomisë) duhet të mbledhë dëshmitë përkatëse nga organet publike kompetente…”
Sipas kësaj “logjike” ligjore, problemi është “licenca”, edhe sikur të mos ishte e falsifikuar – dhe jo dokumentet problematike mbi të cilat ligjërisht licenca është dashur të lëshohet?!
Ministra, kryeministra, deputetë, drejtorë… – objekti ishte i mbyllur me shirit dhe kompania që e drejtonte kishte llogarinë e bllokuar – por deri të dielën punonte, “bënte para” dhe solli vdekjen. I toleruar nga ish-zyrtarë – por para syve të drejtuesve aktualë në MPB, UJPD, DPI…
Për të përfunduar:
• Nuk kalon përpjekja “t’ia hedhim fajin shqiptarit”, e mbështetur nga operacioni “fishekzjarrët në Shkup”.
• Nuk kalon as manipulimi që “boshllëku ligjor” të shërbejë si alibi për inspektorët policorë, tatimorë, të tregut… dhe drejtuesit komunalë që të shmangen nga përgjegjësia.
PR-i i VMRO-DPMNE-së dhe partive të koalicionit qeveritar për të “kontrolluar dëmin” nuk do ta ndalë kërkesën për përgjegjësi dhe sundim të ligjit nga kombi.
Heshtja e LSDM-së dhe aleatëve të saj në Kuvend për një partneritet minoritar në “zbutjen e zemërimit” nuk do ta vazhdojë qasjen jugosllave të “Maqedonasve sistemikë” ndaj maqedonasve dhe shqiptarëve: tani përmes shënjestrimit etnik të BDI-së, më parë të PDSH-së, dhe para saj të PDP-së… si “burimi i problemit”.
Po, jemi të ndarë: nga njëra anë ju – uzurpatorët e sistemit, dhe nga ana tjetër ne – të shtypurit nga një shtet që na vret përmes mosfunksionimit të drejtësisë.
Jo sipas vijës etnike, siç dëshironi ju, por sipas vijës së luftës kundër krimit dhe korrupsionit të krijuar nga ju. Përkatësisht nga oligarkia që ju zotëron.