Tërmeti, Osmani solidarizohet me popullin e Tajlandës dhe Mianmarit

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur solidarizimin e Kosovës me popullin e Tajlandës dhe Mianmarit, pas tërmetit shkatërrues.

Në një postim në X, presidentja Osmani shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi.

“Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e viktimave dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi. Le të gjejnë forcë dhe qëndrueshmëri përballë një humbjeje kaq të thellë”, ka shkruar ajo.

Bilanci i viktimave në Mianmar është rritur mbi 1.600, ndërsa i të lënduarve mbi 3.400. USGS vlerëson se numri i të vdekurve mund të kalojë 10,000.

Sipas USGS, epiqendra ishte rreth 17.2 kilometra nga qyteti i Mandalay, i cili ka një popullsi rreth 1.2 milion banorë. Rreth 12 minuta pas tërmetit të parë, një pasgoditje me magnitudë 6.4 ballë goditi zonën.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti që goditi dje Myanmar ishte më i forti në më shumë se një shekull. Tërmeti i fundit me magnitudë të ngjashme u regjistrua në vitin 1912 në Taunggyi, në Mianmarin lindor-qendror.